1 milion shtetas të huaj dhe shqiptarë kanë hyrë në vend gjatë majit. Numri vjen me rritje 77% nga një vit më parë dhe rreth 20% më i lartë se viti rekord i 2019-ës.
Statistikat tregojnë se vendet nga të cilat kanë hyrë më shumë njerëz janë Greqia me gati 5 herë më shumë. Pas heqjes së kufizimeve nga pala greke, emigrantët shqiptarë janë kthyer në vendlindje. I njëjti trend paraqitet edhe për Italinë me 30 mijë udhëtarë më shumë gjatë këtij viti.
Ndërkohë rritje të fortë kanë edhe anglezët në vendin tonë me 10 mijë më shumë nga një vit më parë. Turistët anglezë janë tërhequr nga festivalet e zhvilluara në Shqipëri nga jugu në veri të vendit.
Edhe turizmi patriotik vazhdon me 100 mijë shqiptarë nga Kosova më shumë se një vit më parë që kanë hyrë në vendin tonë.
Me vendet e Ballkanit të Hapur, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të shtojnë fluksin. Nga Maqedonia kanë ardhur 20 mijë shtetas më shumë se një vit më parë dhe kanë kaluar vitin 2019.
Me Malin e Zi rritja është e fortë, gati 14 mijë shtetas më shumë, ndërsa nga Serbia shifrat vijojnë të mbeten të ulëta.
Këtë 5 mujor përformanca e turizmit është në nivele mjaft të larta, pasi në total janë 3.45 milionë njerëz që kanë hyrë në vend, duke iu afruar viti rekord të 2019-ës, kur në vend hynë 3.5 milionë njerëz.
Sa i përket mënyrës së transportit të udhëtarëve shihet qartë tendenca në rritje nga ajri, ku gjatë majit udhëtarët që vijnë me avion janë rritur me 180% në krahasim me një vit më parë.