Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell thotë se mirëpresin propozimin e paraqitur nga presidenca franceze për kompromis mes Shkupit dhe Sofjes. Më anë të një postimi në twitter, Borrell shkruan se ky është një moment për të ecur përpara në sjelljen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Mirëpresim propozimin e kompromisit të paraqitur nga Presidenca Franceze Emmanuel Macron, e cila tani do të konsultohet më gjerësisht në Shkup. Ky është një moment për të ecur përpara në sjelljen e Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan Borrell.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla njoftoi se është arritur dakordësia politike për të zhvilluar Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë gjatë javës së ardhshme.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla u shpreh se është arritur një dakordësi e plotë mes 27 vendeve anëtare të BE-së për çështjen e integrimit të Shqipërisë. Sipas tij, zhvillimi i Konferencës së Parë Ndërqeveritare është kulmim i kontributeve të shumë qeverive.