Ditën e sotme u nënshkrua marrëveshja e qeverisë shqiptare me organizatën amerikane mjedisore “Patagonia” për mbrojtjen e lumit të Vjosës dhe shpalljen e tij “Park Kombëtar”.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se:” Më vjen mirë që sot jemi në këtë moment të rëndësishëm të hedhjes së një hapi vendimtar drejt shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, duke përfituar nga një bashkëpunim i afërt më organizatën “Patagonia”, të cilës i detyrohemi një falenderim sepse ishte bashkë më gjithë zhurmaxhinjtë e tjerë në këtë proces, po ndryshe nga ata e priti me shume kënaqësi ftesën tonë për të përveshur edhe mëngët. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi “Patagonia” ka atë që na duhet më shumë, që është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të parkut kombëtar, të një pjese të rëndësishme të vendit.
Ky është një proces shumë i vështirë, pasi Vjosa kalon mes për mes trupit të Shqipërisë, dhe të thuash park kombëtar është një fjalë goje, ndërkohë në këtë gjatësi shtrihet një popullsi e tërë, në fshatra e qytete, e cila ka nevojë horizont zhvillimi ekonomik dhe social. Se kur na thonë se ky është lumi i fundit i egër në Europë, bëjnë sikur lumenjtë e tjetër të egër i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër, ne nuk jemi kundër, po këta që e duan Vjosën të egër, duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të bëjmë një habitat ku dhe njerëzit t’i egërsojmë. Po të bëjmë një hapësirë që mbron mjedisin dhe ushqen shëndetshëm gjeneratat që do ta lënë Vjosën trashëgimi, në një rrugë të re dhe të pashkelur deri më sot në Europë.”

“Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo është një histori që ka pasur edhe një aspekt lidhur me pavërtetësinë dhe hipokrizinë, pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje, ky është fakt. Këtu ishin planifikuar të ndërtoheshin hidrocentrale, ne trashëguam rreth 400 liçensa hidrocentralesh në të gjithë Shqipërinë, 12 vetëm në Valbonë. Ne e kthyem Vjosën në zonë të mbrojtur për të mos ndërtuar më hidrocentrale.
Jemi këtu për të kaluar në një fazë tjetër nga zonë e mbrojtjes në një park kombëtar, duke u angazhuar për një projekt shumë të madh dhe shumë dimensione.” shtoi Rama.