Lidhur me rastin e raportuar në fshatin Mizë në bashkinë Divjakë, në fermën e Z.Ardian Bakia, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, pas kryerjes së analizave, konfirmon se nuk kemi të bëjmë me prezencë të influencës aviare (gripi i shpendëve).

Sipas rezultateve të analizave, shpendët janë të prekur nga sëmundja e salmonelës. Salmonelozat, janë një familje bakteresh me mbi 3000 serotipe që gjenden shpesh në shpendë, edhe pa shkaktuar sëmundje apo ngordhje, në varësi të shtamit apo serotipit.

Sidoqoftë, produkti ushqimor, edhe ne rastin kur është i kontaminuar, nëse i nënshtrohet trajtimit të zakonshëm termik (zierjes ose pjekjes mbi 60 gradë celcius për të paktën 15 minuta), nuk paraqet rrezik tek konsumatori.

Drejtoria Rajonale Fier e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, bazuar në ligjin për shërbimin veterinar ka vendosur fermën në karantinë dhe ka kryer dizifektimin dhe groposjen e shpendëve.

Gjithashtu Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ngritur një trup të posaçëm të inspektimit të drejtorisë rajonale të Qarkut Fier, për të monitoruar dhe siguruar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Në bashkëpunim me strukturat vendore janë marrë të gjitha masat për të parandaluar futjen e shpendëve të tjerë në zonën e karantinuar.