Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sot se parashikohet një rrezik i lartë i shpërthimit të kolerës në qytetin e shkatërruar ukrainas të Mariupolit, dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar.

“OBSH nuk ka marrë një alarm ose njoftim për ndonjë rast të dyshuar ose të konfirmuar”, tha një zëdhënëse në Gjenevë.

“Agjencia shëndetësore e OKB-së nuk ndodhet vetë në Mariupol, por është në kontakt të ngushtë me partnerët në terren”, tha ajo.

Kolera është një sëmundje që të shkakton diarre, e cila shpesh transmetohet nëpërmjet ujit të pijshëm të kontaminuar me feçe.

Pjesa më e madhe e infrastrukturës së Mariupolit, duke përfshirë sistemet e ujit dhe kanalizimeve, u dëmtua nga bombardimet e artilerisë ruse.

Autoritetet ukrainase vlerësojnë se rreth 20 000 civilë janë vrarë në Mariupol.

OBSH tha se ka ofruar teste dhe ilaçe për t’iu përgjigjur shpejt një shpërthimi të mundshëm të kolerës.

Organizata po ndihmon gjithashtu autoritetet në Ukrainë të përgatiten për përdorimin e vaksinave të kolerës duke ofruar materiale edukative për popullatën.