Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), ka thënë se numri i njerëzve që kanë ikur nga shtëpitë e tyre më 2021 ka arritur në nivelet më të larta, prej nisjes së regjistrimit të tyre.
Në raportin e saj të fundit, të lëshuar më 16 qershor, agjencia ka thënë se 89.3 milionë individë në gjithë botën janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre më 2021, si rezultat i persekutimit, konfliktit, dhunës apo shkeljes së të drejtave të njeriut.
Kjo shifër është për 8 për qind më e madhe sesa vitin paraprak, dhe dyfish më e madhe sesa një dekadë më parë.
Agjencia ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë – i cili ka nisur më 24 shkurt – ka nxitur një prej krizave më të mëdha të shpërnguljes, prej Luftës së Dytë Botërore, derisa edhe “emergjencat tjera” në Afrikë, Afganistan dhe pjesë tjera të botës, e kanë rritur shifrën në mbi 100 milionë më 2022.
“Secilin vit të dekadës së fundit, numrat janë rritur”, ka thënë Komisionari i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi.
“Ngjarjet e radhës varen nga ne. Ose duhet të veprojmë për të adresuar këtë situatë dhe të gjejmë zgjidhje, ose vazhdojmë të rrisim shifrat”, ka shtuar ai.
Sipas raportit, rreth 7.1 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda shtetit të tyre prej nisjes së luftës në Ukrainë, derisa më shumë se 6 milionë refugjatë kanë dalë krejtësisht nga shteti.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka thënë se mungesat e ndryshme, inflacioni dhe kriza klimatike, janë duke vështirësuar edhe më shumë situatën.
Në raport është përmendur se Afganistani ka shënuar 4 për qind ulje sa u përket refugjatëve më 2021, pavarësisht tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga shteti, dhe marrjes së kontrollit nga talibanët.
Megjithatë, Afganistani vazhdon të jetë vendi i tretë në botë për nga numri i refugjatëve, 2.71 milionë.
Në vendin e parë renditet Siria me 6.8 milionë refugjatë dhe në të dytin Venezuela me 4.6 milionë./REL