“Jemi kthyer në shtëpinë time në Kiev dhe, deri më tani, ka qenë qetë”, i dërgoi Iryna, një 43-vjeçare ukrainase nënë e dy fëmijëve, një mesazh kësaj gazetareje në mes të majit. “Ne lutemi që të vazhdojë të jetë kështu.”

Së bashku me vajzën e saj 10-vjeçare – një djalë i rritur u desh të rrinte pas në Ukrainë për të luftuar – Iryna iku në Poloni në fund të marsit, kur sirenat e sulmit ajror ishin bërë shumë të frikshme, edhe pse ato tashmë ishin strehuar në bodrumin e shtëpisë së tyre.

Ashtu si shumë refugjatë të tjerë ukrainas, me të mbërritur në Varshavë, Iryna dhe vajza e saj u pritën shpejt nga një familje polake. Por, siç ndodhi në shumë raste, oferta për strehim ishte vetëm afatshkurtër, kështu që nëna dhe vajza u desh të transferoheshin në një shtëpi tjetër, pastaj në një të tretë, të gjitha brenda një muaji nga mbërritja në Poloni.

“Ishte thjesht shumë stresuese të vazhdoje të lëvizje vazhdimisht – dhe ndihesha shumë e vetmuar”, e shpjegoi Iryna vendimin e saj për t’u larguar nga Polonia. “Sapo ukrainasit filluan të ktheheshin në Kiev, prita edhe dy javë të tjera për t’u siguruar, pastaj vendosa të kthehesha dhe vetë.”

Historia e Iryna-s nuk është e pazakontë. Të dhënat nga rojet kufitare polake tregojnë se deri në 1 milion ukrainas janë kthyer nga Polonia në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Ndërsa disa janë ata që jetonin në Poloni përpara pushtimit dhe donin t’i bashkoheshin luftimeve, shumë janë refugjatë që u kthyen pasi situata në qytetet e tyre u bë më e qëndrueshme.

Qendra për Hulumtimin e Migracionit në Universitetin e Varshavës vlerëson se rreth 1.5 milionë refugjatë ukrainas mbeten në Poloni, nga mbi 3 milionë që hynë në vend pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Mbi një milion janë regjistruar për të marrë një numër polak sigurimesh shoqërore, ose PESEL, i cili u jep atyre akses në kujdesin shëndetësor dhe social, mes shërbimeve të tjera. Kjo tregon se ata ka të ngjarë të qëndrojnë për të paktën disa muaj të tjerë. Bazuar në demografinë e atyre që aplikojnë për një PESEL, është e qartë se rreth gjysma e refugjatëve janë fëmijë dhe shumica dërrmuese femra.

“Kjo është një popullsi shumë e paqëndrueshme”, thotë për BIRN Pawel Kaczmarczyk, kreu i Qendrës për Hulumtimin e Emigracionit, duke iu referuar refugjatëve ukrainas që ikën në Poloni që nga fillimi i luftës. “Disa prej tyre janë zhvendosur më në perëndim, disa prej tyre janë kthyer tashmë në shtëpi, ndërsa ukrainas të tjerë edhe tani duket se janë të përfshirë në një emigrim rrethor, duke bërë sa para, pas midis dy vendeve.”

Pasigurisë i shtohen mënyrat e shumta se si mund të shpërthejë lufta – skenarë të ndryshëm të përgatitur nga ekspertët e CMR-së tregojnë variacione të mëdha në numrin e refugjatëve në Poloni në varësi të mënyrës se si evoluon situata në Ukrainë – dhe është e qartë se çdo qeveri do të kishte vështirësi të përgatitej siç duhet.

Por, ndërsa kalon më shumë kohë që nga fillimi i luftës, Polonia po tregon shenja se po ngelet pas edhe në ato gjëra që mund të bëhen pavarësisht nga pasiguria.

Asnjë politikë migrimi

Efektivë të ushtrisë polake duke ndihmuar disa refugjate ukrainase në piken kufitare në Medyka, Przemysl, Poloni, 12 mars 2022 – Foto Ervin Shulku për BIRN
Qasja fillestare e Polonisë u vlerësua në mbarë botën. Vendi hapi dyert për refugjatët ukrainas dhe më vonë u dha atyre akses falas në tregun e punës dhe shërbimet sociale.

Megjithatë, ndërsa një qasje e tillë mund të mjaftonte për valën e hershme të emigrimit ukrainas në Poloni (rreth 1.3 milionë ukrainas jetonin tashmë në Poloni në kohën kur filloi lufta, kryesisht emigrantë ekonomikë, shpesh burra, të cilët kishin mbërritur në vitet para pushtimit), ajo mungonte qartë për popullsinë shumë ndryshe që erdhi aty muajve të fundit. Këtë herë janë kryesisht nëna dhe fëmijë, shumë prej të cilëve janë të traumatizuar nga lufta, pa partner dhe pa ndonjë plan të qartë për të ardhmen.

“Një nga çelësat kryesorë për të kuptuar situatën e refugjatëve ukrainas në Poloni është të dihet se ne nuk kemi pasur një politikë formale emigracioni që nga viti 2016 dhe, ndërkohë që kemi sigurisht politika dhe veprime të ndryshme të zbatuara nga organe të ndryshme, nuk ka politika integrimi”, shpjegon Kaczmarczyk.

“Do të ishte vërtet e rëndësishme që të ekzistojnë ato zgjidhje sistemike, ato masa për mënyrën sesi autoritetet qendrore, lokale dhe organizatat joqeveritare mund të bashkëpunojnë, se si mund të transferohen paratë, e kështu me radhë.”

Vetëm

Grua ukrainase e mbështjellë me batanije në afërsi të stacionit të trenit në Medyka, Przemysl, Poloni, 11 mars 2022 – Foto Ervin Shulku për BIRN
Kjo mungesë e një qasjeje sistematike dhe të menduar për integrimin e refugjatëve ka filluar të dalë në pah.

Rreth 200,000 fëmijë ukrainas i janë bashkuar shkollave polake që nga fillimi i luftës, me gjysmë milioni të tjerë në pritje. Shumë ka të ngjarë të bashkohen kur të fillojë viti i ri akademik në vjeshtë.

Këta fëmijë futen direkt në klasa polake, duke ndjekur një kurrikul akademike polake, pavarësisht se nuk e flasin gjuhën. Mësuesit polakë po përpiqen shumë t’i ndihmojnë këta fëmijë, duke u munguar trajnimi edhe në mësimdhënien e polonishtes si gjuhë e huaj. Atë që atyre u mungon në trajnimin zyrtar, megjithatë, ata e kompensojnë me vullnetin e tyre, duke përdorur Google translate dhe duke dhënë orë mësimi shtesë jashtë orarit zyrtar, të papaguara, për të mësuar vetë se si të sillen me fëmijët nga kulturat e tjera.

Një kaos i ngjashëm është edhe në sektorin e shëndetësisë. Refugjatët ukrainas mund të marrin ndihmë urgjente dhe të shkojnë për vizitë një herë në klinikat shtetërore polake. Por këtyre klinikave u mungojnë asistentët shëndetësorë që flasin gjuhën ukrainase, të cilët mund të veprojnë si ndërmjetës midis mjekëve polakë dhe pacientëve të tyre të huaj. Gjithashtu, deri më tani, nuk është vendosur asnjë sistem që refugjatët të marrin kujdesin bazë mjekësor afatgjatë.

Sfida më e madhe, megjithatë, është te strehimi. “Për mua është një mister “, thotë Kaczmarczyk, “se ku janë ata njerëz.”

Polakët e zakonshëm që mirëpresin refugjatët në shtëpitë e tyre ishte një histori e madhe në mars. Në atë kohë, liderët polakë mburreshin se Polonia nuk kishte kampe refugjatësh sepse nuk kishte nevojë për asnjë të tillë, sepse qytetarët kishin hapur dyert për refugjatët në atë masë sa që ishte e mjaftueshme.

Por nuk ishte kështu. Shumë familje polake mund të strehonin refugjatë vetëm në një kohë të shkurtër dhe ndihma financiare e ofruar çdo muaj nga qeveria për të pritur refugjatët u ndërpre pas tre muajsh.

Në qendrat kryesore metropolitane si Varshava apo Krakovi, ku shkoi pjesa më e madhe e refugjatëve (popullsia në disa prej qyteteve më të mëdha u rrit deri në një të pestën, sipas autoriteteve lokale), aksesi në strehim është i vështirë edhe për polakët. As që diskutohet që në këto qytete të mund të marrësh me qira një apartament me dy dhoma për më pak se 500 euro në muaj dhe dhe stoku i apartamenteve është thjesht i pamjaftueshëm.

Duke folur në një seminar në qershor të organizuar nga Qendra për Hulumtim të Emigracionit, Tomasz Pactwa, drejtor i projekteve të mirëqenies dhe sociale në Bashkinë e Varshavës, tha se aktualisht ka pak më shumë se 2,000 refugjatë që flenë në “streha komunale) (stadiume ose qendra konferencash) në kryeqytetin polak dhe komuna është në dijeni të 3,000 të tjerëve që flenë në shtëpi private polake.

Krahasojeni këtë me numrin e përgjithshëm të refugjatëve që vlerësohet se kanë ardhur dhe kanë qëndruar në Varshavë që nga fillimi i luftës (deri në 20 për qind shtesë për një qytet me një popullsi prej 2 milionë banorësh) dhe është e lehtë të kuptosh kuriozitetin e Kaczmarczyk se ku po flenë, në fakt, të ardhurit e rinj.

Sipas ekspertit, qeveria qendrore nuk ka përpiluar asnjë të dhënë se ku mund të jetojnë refugjatët, ndaj Qendra për Hulumtim të Emigracionit i është bashkuar një përpjekjeje bashkëpunuese me institucione të tjera për të bërë numërimin. Njohja e numrave, thekson ai, është thelbësore për ofrimin e ndihmës së duhur.

Shërbime të dobëta sociale

Institucionet si ai i Kaczmarczyk, OJQ-të që kanë ndihmuar refugjatët që nga fillimi i krizës dhe bashkitë lokale po mendojnë ato që duhet të bëjë vërtet një qeveri e madhe qendrore.

Në fillim të majit, këta ekspertë u mblodhën në qytetin e Wroclaw për të dalë me propozime të përbashkëta për politika dhe masat e duhura në fusha kyçe që lidhen me pritjen e refugjatëve ukrainas: punësimi, strehimi, shërbimet shëndetësore dhe sociale, arsimi, integrimi, aspektet ligjore, siguria dhe siguria kibernetike. Sipas njoftimeve nga aktiviteti, përfaqësues nga Zyra Presidenciale Polake dhe qeveria ishin të pranishëm, por pjesëmarrja e tyre ishte kryesisht simbolike.

Ndërsa kërkohen zgjidhje të reja, mangësitë në infrastrukturën ekzistuese të kujdesit social të Polonisë po bëhen më të dukshme çdo ditë: godinat e kujdesit shëndetësor janë të mbipopulluara, me lista pritjeje prej muajsh për të parë specialistët; shkollat ​​kanë mungesë financimesh dhe me staf të pamjaftueshëm dhe në treg zor se gjen ndonjë strehim të lirë.

Rezultati i këtij shkatërrimi të infrastrukturës sociale do të jetë, sipas ekspertëve, i parashikueshëm. Pa një integrim të duhur dhe të shpejtë të refugjatëve ukrainas, pas periudhës së “muajit të mjaltit” të fillimit, do të fillojnë tensionet sociale me popullsinë vendase.

BIRN