Këshilli i Europës ka publikuar raportin më të fundit të Moneyval për Shqipërinë, sa i përket luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ku flet për përmirësim të vendit tonë në këtë drejtim, dhe për përmirësim të vlerësimit. “Shqipëria ka përmirësuar masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, duke shfaqur progres të mirë në nivel pajtueshmërie me standardet e Task Forcën e Aksionit Financiar (FATF)”-nënvizon Moneyval në raportin e Këshillit të Europës, të përditësuar dhe vijues për vendin tonë, të publikuar këtë fillim-javë. Si rrjedhojë e këtyre hapave pozitivë, vlerësimi i Shqipërisë në këtë drejtim është përmirësuar, nga pjesërisht i pajtueshëm, në gjerësisht i pajtueshëm, në dy aspekte të lidhura me transparencën dhe përfituesit pronarë, me rregullimin dhe mbikqyrjen e institucioneve financiare. Nga ana tjetër, vlerësimi i aspektit të asistencës ligjore të ndërsjelltë (MLA), sa i përket ngrirjes së aseteve dhe konfiskimit, është rritur nga “pjesërisht e pajtueshme” në “të pajtueshme”.

Moneyval i Këshillit të Europës në raport vlerëson kryesisht kornizat ligjore dhe pajtueshmërinë e tyre me standardet e Bashkimit Europian. Por, nga ana tjetër, në raport thekson se, si rrjedhojë e kufizimeve proceduriale, nuk ka vlerësuar dot masën në të cilën këto masa janë implementuar në praktikë.

Në raport, Shqipëria vlerësohet gjithashtu të ketë ndërmarrë hapat e nevojshme sa i përket licensimit të institucioneve financiare jo-bankare, me qëllimin për të parandaluar kriminelët dhe bashkëpuntorët e tyre nga pronësia e plotë apo e pjesshme e tyre, apo edhe mbajtja e funksioneve drejtuese.

Sa i përket asistencës ligjore të ndërsjelltë, Shqipëria vlerësohet të ketë vendosur mekanizmat e nevoshëm për të ekzekutuar urdhra konfiskimi jashtë vendit, ndarjen e aseteve të konfiskuara me vendet e huaja.

“Në tërësi, Shqipëria ka arritur objektivat e përgjithshme të MONEYVAL, duke adresuar, hendeqet e pajtueshmërisë teknike brenda tre vitesh nga adoptimi i raportit të vlerësimit të ndërsjelltë”-thotë nder te tjera Këshilli i Europës në raport.