Rusia po shkakton një krizë ushqimore globale, ishte akuza e presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, që e përplasi zyrtarin e lartë europian me ambasadorin rus në OKB, Vassily Nebenzia.
Lufta e Ukrainës ka bllokuar ushqimet në portet e vendit të mësyrë që prej shkurtit. Ukraina është eksportues madhor i vajit për gatim dhe drithërave si gruri e misri.
Ndërkohë, edhe Rusia eksporton masivisht drith e fertilizues, dhe mungesa e këtyre eksporteve po i çon çmimet në stratosferë.
Michel iu drejtua drejtpërdrejt Nebenzias, me pohimet se Kremlini po i përdor ushqimet si raketa kundër vendeve të zhvilluara.
“Pasojat dramatike të luftës së Rusisë po ndihen në të gjithë globin dhe po rrisin cmimet, po i shtyjnë njerëzit drejt skamjes e po destabilizojnë rajone të tëra. Rusia është përgjegjësja e vetme për këtë krizë ushqimore”, tha Charles Michel .
Michel shtoi se kishte parë me sytë e tij miliona tonë grurë të bllokuara në portin e Odesës nga dara e ushtrisë ruse. Ambasadori ukrainas, Sergiy Kyslytsya ka mbajtur te njëjtin qëndrim.
“Siguria e ushqimit në Ukrainë e në mbarë botën duket se po shënjestrohet qëllimisht nga Rusia. Deri tani, ajo ka vjedhur 400,000 tonë grurë nga zona përkohësisht të pushtuara në Zaporizhzhia, Kherson, Donjeck dhe Luhansk”, tha Sergiy Kyslytsya.
Ambasdori rus e akuzoi zyrtarin evropian për përhapje të gënjeshtrave, dhe pas komenteve të Michel se po pengon mbjelljen dhe korrjen e këtyre produkteve në Ukrainë, për shkak të aktiviteteve ushtarake, Nebezia është çuar e ka lënë sallën.
Michel e shoqëroi me fjalët: Ju mund të largoheni nga dhoma, ndoshta e keni më të lehtë të mos dëgjoni të vërtetën.
Në një takim tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi po ashtu se Rusia është duke bllokuar eksportet e grurit ukrainas dhe ka akuzuar forcat ruse se janë duke shkatërruar infrastrukturën bujqësore të Ukrainës.