Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në eventin e përurimit të Parkut Zoologjik të Tiranës, një nga modelet më të bukura të transformimit në kryeqytet dhe një hapësirë tërësisht e rikonceptuar me fermën shqiptare, kafshë të egra dhe mjedise rekreative.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh se: “ Më vjen jashtëzakonisht mirë që më në fund lali Eri e mbajti fjalën, na e kishte dhënë para shumë kohësh po u desh të bëhej një punë shumë e madhe dhe e ngatërruar. Kjo është një hapësirë fantastike, një mjedis i rilindur tërësisht, i pakrahasueshëm me asgjë në atë që ishte më parë, as me ditët më te mira që kishte më parë. Është një kopsht zoologjik me hapësira fantastike për kafshët dhe fëmijët, prindërit e gjyshërit. Gjithashtu është edhe një hapësirë mësimi dhe edukimi për botën e kafshëve, për të njohur nga afër shumë gjera që këtu janë të mbledhura bashkë, ndërkohë që nëpër libra duhen kërkuar shumë dhe me kujdestarë dhe struktura që janë në dispozicion të fëmijëve dhe shkollave.”

“Ne do të organizojmë me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë për Fëmijët dhe Rininë, edhe ekskursione nga shkolla të tjera të vendit për të ardhur dhe kaluar një gjysmë dite në këtë kopsht zoologjik.

Më ven mirë që kjo hapësirë është në zemër të qytetit, njësoj si stadiumi, çka ua lehtëson shumë prindërve rrugën për të ardhur deri këtu dhe e bënë shumë më të bukur dhe shëndetshëm kontaktin mes jetës së përditshme urbane dhe jetës këtu që është shumë e veçantë dhe e ndryshme. “ shtoi Rama.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të afruar të gjithë fëmijët, sidomos ata në qytete, me kafshë të fermës që gjenden vetëm në zonat rurale, dhe përmes ndërveprimit me to t’i njohin më mirë duke mësuar gjëra të reja në klasat e posaçme.

Zoo Parku është projektuar si një oaz qetësie për të gjithë kryeqytetin me mjedise rekreative dhe hapësira të gjelbra të shfrytëzueshme për piknik, kënde lojërash për fëmijë dhe një sërë aktivitetesh që zgjasin gjatë gjithë ditës.