Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend komentoi procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.
Balla tha se procedura ishte e standardeve më të larta dhe se duhet të merret në shembull për proceset në vijim, ndërsa nuk i ka kursyer kritikat për opozitën.
“Mendoj që ,Kuvendi i Shqipërisë përgjatë këtij procesi ka bërë gjënë e duhur sipas Kushtetutës duke vendosur disa standarde që duhet të vlejnë për proceset e ardhshme. Keqardhje e madhe për bojkotin e një pjese të opozitës. Frika nga vota është diçka që mendoj që partia kryesore e opozitës, PD duhet t’i largohet. Kaq shumë bojkote e kanë dëmtuar PD. Edhe disa që gjoja bënë Kuvende dhe bënë deklarata se nuk do bojkotojnë kurrë ,e mbajtën fjalën për tri javë. Si tha ajo vesi del me shpirtin, kuptuam kush e kishte pasur këtë frymëzim për bojkote. Duhet të kuptojmë që opozita duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësi dhe se bojkoti është fyerja më e madhe dhe opozita i detyrohet një ndjesë të madhe qytetarëve”, tha ai.