Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndarë pamje nga takimi në Kiev me kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç, shkruan newsbomb.al Dy liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë mbërritur prej mëngjesit të sotëm në Kiev.
“Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes së popullit tonë. Sot po takohem me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç”, shkruan Volodymyr Zelensky dhe ndan pamje takimi.
Në pamjet e shpërndara nga presidenti ukrainas, shihet se kryeministri tjetër i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka folur me video konferencë. Më pas, tre liderët kanë biseduar me njëri-tjetrin për pushtimin rus të Ukrainës.
Vizitën e parë pas Kievit, dy kryeministrat shqiptarë e kanë bërë në qytetin e Borodiankas. Një qytet 50 km nga kryeqyteti i Ukrainës dhe ndër të parët që u godit nga pushtimi i egër rus. Ndërtesa të shkatërruara dhe komplekse banimi të bëra njësh me tokën kanë parë Rama dhe Abaziviç në Borodianka.
Për sigurinë e delegacionit shqiptar në Ukrainë po kujdesen Forcat Speciale RENEA. Po ashtu, edhe kryeministri shqiptar i Malit të Zi shoqërohet nga forcat e tij të sigurisë, ndërsa të dy delegacionet koordinohen nga trupat e armatosura të Ukrainës.
Trupat e repartit elitë të Policisë së Shtetit qëndrojnë krah Ramës, ambasadorit të Ukrainës në Tiranë, ministres Elisa Spiropali dhe drejtorit për media në Kryeministri, Endri Fuga. Newsbomb.al mëson se efektivët më të përgatitur të Forcave Speciale janë nisur në Ukrainë, për sigurinë e kësaj vizite zyrtare.