Nga Jakin Marena
Sali Berisha ne perëndim të jetës së tij biologjike, pasi ajo politike mendohej se kishte perënduar që më 2013, kur pas humbjes përballë Edi Ramës dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, ka vendosur një “bast” të madh politik.
Më shumë se sa me shqiptarët, Berisha këtë “bast” e ka vendosur me veten dhe me kundërshtarët e tij brenda PD, parti të cilën e mori nën zotërim pas dëbimit të Lulzim Bashës, plot 9 vite pasi formalisht ishte larguar nga drejtues i demokratëve.
I trimëruar ndoshta për marrjen në “pronësi” të asaj që kishte, pra të shumicës në PD, Berisha teksa shprehet se do rrëzojë Ramën dhe do vijë në pushtet, ka vendosur që të organizojë një protestë anti-qeveri me 7 korrik, nën okelion “Shqipëria në rrezik”, duke ftuar të gjithë ata që janë kundër Ramës që të ngrihen nën organizimin e “Frontit për Shpëtimit Kombëtar”.
Nuk dimë nëse ka qënë i rastësishëm slogani i përzgjedhur nga Berisha, që ngjan shumë me atë të vitit 1997, pra sloganit të qytetarëve shqiptarë që humbën po për shkak të presidentit të asaj kohe mbi 1.2 miliardë dollarë kursime dhe pasuri në firmat mashtruese piramidale dhe për t’i bërë ballë reprezaljeve të regjimit të atëhershëm krijuan “Komitetet e Shpëtimit kombëtar”.
Por teksa shohim gjuhën e përdorur nga mbështetësit e Berishës në takimet e organizuar prej tij për të mbledhur protestues për 7 korrikun, ku dëgjoheshin thirrje të tilla të harruara me kohë dhe vakt si “japim jetën për lirinë”, “do të mbrojmë demokracinë me gjak” e deri tek “Doktor, do ta djegim më 7 korrik, pasi më mirë të vdesim nga plumbi se sa nga gazi lotsjellës”, mund të themi Berisha po tenton të shkojë pikërisht drejt kësaj përplasjeje të opozitës me qeverinë. Përplasje sipas skenarit të tij, deri fizike, të dhunshme dhe pse jo dhe me ndonjë “vegël” tjetër brenda saj. Ata që i artikuluan këto thirrje nuk ishin njerëz të thjeshtë, por ish zyrtarë, avokatë dhe deri aktorë humori dhe teatri. Humori do të thotë ndokush, por ama ishin aktorë.