Partia Socialiste startoi procesin e ri zgjedhor për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit. Sipari i takimeve nisi në Bashkinë Maliq ku 4 kandidatët e përzgjedhur për fazën finale: Ermal Gjona, Kristela Koçi, Ornild Demollari dhe Rudina Bregu, paraqitën para Asamblesë së Zgjeruar të bashkisë platformat e tyre të kandidimit.
Komisioni i Posaçëm të Kryesisë Socialiste i përbërë nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, Sekretari për Digjitalizimin, Etjen Xhafaj, Sekretarja për Gruan, Etilda Gjonaj, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, deputetë të PS së Qarkut Korçë, por dhe anëtarësia e partisë patën mundësi të njihen me platformat dhe tu drejtonin pyetje mbi vizionin e tyre për drejtimin e degëve lokale.
Takimi u moderua nga drejtuesi politik i Qarkut Korçë, Niko Peleshi, i cili e cilësoi takimin si stacionin më të afërt të finalizimit të procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS Maliq, i cili do të pasohet me shtrirjen e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e partisë deri në Organizatat Socialiste, aty ku ka nevojë për ndryshime. Ndër të tjera, Peleshi theksoi se procesi i sapo nisur, një proces tepër transparent dhe i hapur për këdo që dëshiron të kontribuojë në politikë dhe komunitet, do të shërbejë për hapjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të PS dhe garantimin e fitoreve elektorale të radhës.
Më pas kandidatët bënë një prezantim të shkurtër të përvojave dhe angazhimit të tyre politik, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të bëra nga të mandatuarit e Kryesisë së PS lidhur me vizionin dhe objektivat e tyre për rritjen e numrit të grave dhe të rinjve në PS; digjitalizimin e partisë, çfarë mund të bëhet më mirë dhe më shumë për të garantuar që PS të jetë sërish forcë politike fituese në Bashkinë Maliq, sikundër ka qenë ndër vite në këtë zone, etj.
Kandidati i parë, Ermal Gjona, me profesion agronom, aktualisht është Administrator i Njësisë Administrative Pirg, delegat Kongresi. Gjatë prezantimit ai theksoi se dy pikat kyçe ku duhet të fokusohet puna janë: forcimi i bashkëpunimit me të gjithë aktorët në PS dhe ri-energjizimi i anëtarësisë, kryesisht me të rinj, vajza dhe gra. Duke risjellë eksperiencën e tij si ish-nënkryetar i FRESSH, ai u shpreh se do të rritet aktiviteti dhe puna për përfshirjen e sa më shumë të rinjve.
Kandidatja e dytë, Kristela Koçi, me profesion financiare, aktualisht është Kryetare e Këshillit socialist Qendër. Ndër të tjera, ajo nënvizoi se nevojitet të punohet maksimalisht për përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në strukturat e partisë në zonat rurale por dhe në vendimmarrje, pasi niveli i përfaqësimit mbetet ende e ulët. Duke risjellë eksperiencën e mirë të FRESSH, ajo u shpreh se duhet të punohet për të afruar sa më shumë të rinjtë, duke zhvilluar jo vetëm aktivitete kulturore, por edhe duke përdorur platformën dixhitale të partisë në mënyrë të kuptohet se për çfarë kanë nevojë dhe ku duhet të fokusohet puna me ta.
Kandidati i tretë, Ornild Demollari, me profesion ekonomistë, menaxher, është Kryetari i deritanishëm i PS Maliq. Ndër të tjera ai theksoi se fokusi i punës duhet të jetë: dëgjimi dhe kujdesi për çdo anëtar partie; forcimi i bashkërendimit organizativ, i cili do të jetë çelsi i suksesit në përballjet e ardhshme elektorale; hapja e partisë për të rinjtë, sidomos atyre të universitetit; nisja e bashkëbisedimeve me qytetarët për njohur më mirë nevojat dhe shërbyer më mirë qytetarëve, bërja sa më shpejt efektive e sistemit digjital, i cili e ka bërë PS një forcë politike pararojë të epokës së re dixhitale.
Kandidatja e katërt, Rudina Bregu, me profesion ekonomiste, aktualisht është Kryetare e OS. Ndër të tjera duke sjellë eksperiencën pozitive të strukturave në Lubonikë për përqafësimin gjinor ajo theksoi se puna duhet të përqendrohet në rritjen e numrit të vajzave dhe grave në vendimmarrje, duke u ofruar siguri se zëri i tyre do të dëgjohet dhe do të shmangen paragjykimet; përfshirje dhe hapje e partisë për të rinjtë që duan të japin kontribut dhe të jenë një zë në politikë; si dhe prioritizimi i punës për dixhitalizimin e partisë, që do të ndihmojë dhe në afrimin e të rinjve.