Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç po qëndrojnë në Ukrainë, ku po shohin nga afër pasojat e luftës që ushtria ruse po kryen atje që prej 24 shkurtit.

Pas vizitës 12-orëshe me tren, dy krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas në Kiev. Vizita e tyre ka nisur në Bucha, e më pas në Borodyanka e Irpin, tre ndër qytetet e prekura nga masakrat dhe varret masive të civilëve.

Më pas ata kanë vizituar ekspozitën për luftën ruso-ukrainase, ku kanë parë të dokumentuara tmerret me të cilat është përballuar populli ukrainas. Në vijim, Rama e Abazoviç u takuan me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Nga aty tre liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Vizita vijoi me takimin e kryeministrit të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko.

Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri dhe Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.