Kosova e ka vendin gati në ‘Ballkanin e Hapur’ dhe është në dorën e saj të vendosë ta zërë atë vend apo ta lërë bosh.

Ky ishte mesazhi i fundit i kryeministrit Rama në bashkëbisedimin me gazetarët nga Ohri pasditen e sotme.“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e saj. Vendi për Kosovën në këtë tryezë është aty, askush nuk e zë, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova. Unë nuk dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë. Ftesa është e hapur por e respektoj vendimin e Kosovës për ta lënë vendin bosh”, tha ai.

Ndërkohë që i pyetur për forcat që nuk duan bashkëpunimin në Ballkan Rama tha se ka forca të rëndësishëm që nuk duan progresin në rajon.“Nuk është e nevojshme të bëjmë ndonjë shkencë të veçantë. Patjetër që ka njerëz që janë të interesuar për ta importuar konfliktin dhe për të mos I dhënë të gjithë fuqinë procesit të bashkëpunimit deri në një zgjidhje përfundimtare të konflikti të madh të hapur mes Serbisë dhe Kosovës. Ky është fakt por nëse do të flisnim me emra do të zvogëlonim peshën e këtij fenomeni”, tha Kryeministri.