Në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, të mbajtur sot për herë të parë, mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij falenderoi partnerët e huaj dhe ministret Milva Ekonomi dhe Edona Bilali të cilat kanë punuar për realizimin e raportit të parë kombëtar vjetor të antikorrupsionit dhe për zhvillimin e konferencës, e cila sipas tij synon të pasqyrojë rezultatet dhe problematikat në këtë betejë të përditshme dhe marrëdhëniet mes shtetit dhe qytetarët.

“E pamë të udhës të shoqëronim nxjerrjen e raportit të Antikorrupsionit me këtë konferencë, sepse besojmë se është shumë e rëndësishme të ndajmë me publikun edhe vështirësitë dhe të përpiqemi ta vendosim në perspektivë këtë sfidë të vazhdueshme, e cila asnjëherë nuk mbaron sepse në asnjë shtet të botës, që nga shtetet më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht, por ndërkohë për të kuptuar se Shqipëria ka filluar të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarin me shtetin në çdo kontakt të tij me të” theksoi Kryeministri.

Duke e vendosur në një pikëpamje kronologjike, Kryeministri theksoi se shërbimet e drejtpërdrejta me qytetarët deri pak vite më parë ishin arbitrare dhe me mungesë cilësie e transparence.

“Nuk ka qënë para 30 vitesh, por deri para pak vitesh, koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt të drejtpërdrejtë fizik, edhe për shërbimet më bazike dhe të përmuajshme si pagesa për dritat, qytetarët duhet të qëndronin në radhë shumë të gjata, në shi apo diell që t’u jepej mundësia të paguanin kontributet e tyre. 300 mijë kontakte fizike në muaj, mes qytetarëve dhe shtetit, e në to kishte arbitraritet të vazhdueshëm, mungesë të plotë cilësie e transparence në shërbim, zvarritje e shumë para nën dorë” tha Rama.

Më tej Rama sqaroi se reformimi i drejtësisë ishte aspekti tjetër i luftës ndaj korrupsionit, për t’i kthyer qytetarëve trajtimin e barabartë që meritojnë para ligjit.

“Sistemi ishte i kapur nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, të transformuar në një Pazar ku e drejta shitej ose blihej, e pavarvësisht se brenda sistemit kishte si në çdo vend e fushë, njerëz të zotë e të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur për ta të promovoheshin apo për njerëzit e thjeshtë e të pafajshëm që të garantoheshin nga sistemi i drejtësisë.

Ne u fokusuam në të dyja drejtimet, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe reformimi i sistemit të shërbimeve. Për reformimin e sistemit të drejtësisë do të ketë pas pak një panel të veçantë e nuk do të doja të zgjatesha shumë, por do të thoja vetëm diçka për të cilën mendoj biem dakord të gjithë, pavarësisht bindjeve, revervave që mund të kemi e madje pavarësisht simpative që kemi në aspektin politik”, shtoi Kryeministri Rama.

Më tej, ai theksoi se asnjë nuk e kishte menduar që në Shqipëri do të përfundonte pandëshkueshmëria për politikanët apo zyrtarët e korruptuar, sidomos në nivelet e larta, por theksoi se Reforma në Drejtësi tashmë e garanton këtë, e se tashmë drejtësia funksionon plotësisht e ndarë nga politika.

“Kush e mendonte pak vite më parë që në këtë vend do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë, kush e mendonte se do të vinte dita vetëm pak vite pas fillimit të reformës në drejtësi, që askush nuk do të ndihej më i paprekshëm, që anëtarë qeverie, përfaqësues të zgjedhur në pushtetin vendor, deputetë do të merreshin në hetim dhe do të akuzoheshin nga një prokurori tërësisht e ndarë nga politika dhe tërësisht e fokusuar te misioni i saj për të bërë drejtësi?” tha Rama, duke shtuar se megjithëse procesi ishte ende në fillim puna po vijonte.

Më tej ai theksoi se meritokracia është bërë e mundur përmes portaleve të punësimit të krijuar nga qeveria, në kuadër të revolucionit digjital, duke dhënë shembull se në pranimin në universitet kishte shumë problematika në përzgjedhjen e studentëve. Po ashtu, punësimi i mësuesve apo i infermierëve e mjekëve, policisë është lehtësuar përmes portalit online për rekrutimin e tyre me meritokraci.

“Sot, të gjitha shërbimet që nuk kanë nevojë për prani fizike janë online, sot të gjitha shërbimet e biznesit janë onlinë. Sot, të gjitha raportet ndërkombëtare e vendosin Shqipërinë në vendet më të zhvilluara sa i përket qeverisjes digjitale, e vendosin te grupet më të prapambetura për sektorin privat, ku ne na takon të bëjmë një përpjekje shumë më të madhe që sektori privat të arrijë të ngrihet në nivelin e sektorit publik”, theksoi Kryeministri.