“Volumi i eksporteve për janar-prill të fermerëve shqiptarë në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, 57.6 milionë euro, vjet në janar-prill ishte 33.9 milionë euro, janë pothuajse dyfishuar” deklaroi Kryeministri Rama në samitin e Ballkanit të Hapur të mbajtur në Tiranë.

“Për më tepër në një kohë problematike kur vetëm çmimi i naftës për fermerët ka pësuar një rritje të frikshme dhe pavarësisht se çfarë kemi bërë ne për ta subvencionuar çmimin e naftës për fermerët, kjo i thyen të gjitha llojet e pasqyrave të rreme që janë ngritur kundër Ballkanit të Hapur, duke treguar që Ballkani i Hapur është një mënyrë më e mirë për të përballuar krizat që nuk i krijojmë e as ndalojmë dot ne” shtoi Kryeministri.

Për më tepër ai tregoi shifrat e eksportit dhe të turizmit, në përqindje, për të pasqyruar edhe më qartë situatën dhe përfitimet ekonomike që secili vend mund të ketë duke marrë pjesë në nisma të tilla bashkëpunimi.

“E dini sa janë rritur eksportet mes Shqipërisë dhe Serbisë në përqindje, eksportet e fermerëve shqiptarë? 63% plus, që do të thotë se është një treg ku fermerët tanë po shesin e po fitojnë. Kjo është përgjigje për të gjithë ata që thonë se Ballkani i Hapur është një nismë për të fituar Serbia.

Turizmi janar-prill 110% rritje në shifra, turistë nga Serbia në Shqipëri dhe 51% nga Maqedonia e Veriut, në verë do të jenë edhe më të larta këto shifra” theksoi Rama.

Më tej ai shtoi se edhe në mbrojtjen nga zjarret, apo nga kriza të tjera, edhe për hir të paqes, vështrimi nga e ardhmja për bashkëpunim më të fortë e më të ngushte mes vendeve të rajonit, është e vetmja zgjidhje.