Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç po zhvillojnë një vizitë në Ukrainë me ftesë të Presidentit, Volodymyr Zelenskyy.
Rama dhe Abazoviç udhëtuan mbi 12 orë me tren nga qyteti i Pshemishit, Poloni, nga ku u bë nisja për në Ukrainë.
Në këtë vizitë, Kryeministri Rama shoqërohet edhe nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga zonat e bombarduara të Borodyanka dhe Irpin.
Më pas, Rama dhe Abazoviç do të vizitojnë ekspozitën me dëshmi të luftës ruso-ukrainase.
Në vijim, Kryeministri Rama dhe homologu i tij i Malit të Zi do të priten në takim nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, takim që do të pasohet nga Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama, Kryeministrit Abazoviç dhe Presidentit Zelensky.
Kryeministri Rama do të takojë gjatë ditës Kryeministrin e Republikës së Ukrainës Denys Shmyhal dhe më pas Kryetarin e Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.