Parku i Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë po merr formën përfundimtare.

 

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa foto nga punimet e kryera deri tani në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë.

 

“Vlorë – Parku i Shtëpisë së Pavarësisë drejt marrjeformës përfundimtare”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

 

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti ambicioz, i cili është pjesë e transformimit rrënjësor të Vlorës, shumë shpejt do t’u ofrohet qytetarëve vlonjatë, si një infrastrukturë moderne e mirësistemuar, që rrit përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijon një mundësi urbanistike të re, duke lidhur natyrshëm Bulevardin e Ri dhe Lungomaren.

 

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë do të jetë një hapësirë krejt ndryshe për të gjithë banorët, pavarësisht moshave, për vizitorët e ditës, por edhe për turistët në Vlorë, duke iu ofruar një mundësi të gjithëve, për të pasur më shumë hapësirë dhe më shumë ndërveprim me njëri-tjetrin.

 

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është projekt i Rilindjes Urbane të Vlorës, në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës deri tek porti, ku do të lidhë bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren, një oaz fantastik me shtëpinë e flamurit mes gjelbërimit dhe plot kënde pushimi e argëtimi për të gjitha moshat.

Projekti parasheh edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli.