1 Qershori i ka gjetur fëmijët e Thumanës në shkolla të rindërtuara e hapësira publike të sistemuara, ndërkohë që nga rindërtimi ka marrë formë një qytezë e tërë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale një fotoalbum nga aktivitetet e organizuara sot në Thumanë, me rastin e festës së 1 Qershorit.
“Thumana e Rilindur tani është kthyer edhe në destinacion për aktivitete sportive e kulturore duke lënë pas një herë e mirë të shkuarën”, u shpreh Rama.
Në Thumanë ka marrë tashmë jetë qyteza e rindërtuar krejt e re, njësoj si lagjet më të mira evropiane, me shtëpitë dhe pallatet e reja dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme komunitare.
Qyteza e Thumanës në bashkinë e Krujës ishte një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Programi i Rindërtimit përfshin ngritjen e 14 pallateve dhe 156 shtëpive individuale.