Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, e cila së bashku me grup europarlamentarësh vizituan vendin tonë, zhvilluan edhe një takim me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Duke shprehur konsideratën e saj për Tiranën që, siç thotë ajo, e ka vizituar aq shpesh sa ndihet si në shtëpi, Santos tha se Shqipëria duhet të jetë sa më parë anëtare e BE-së. Europarlamentarja portugeze pohon se në kryeqytetin shqiptar ndihet e njëjta atmosferë si në çdo kryeqytet tjetër europian.

“Jam shumë e lumtur që jam në Tiranë. Është hera ime e katërt që vij këtu dhe e ndjej veten si në shtëpi. Tirana është një qytet shumë europian, Shqipëria është një vend shumë pro europian dhe partner shumë i rëndësishëm i Bashkimit Europian. Gjatë viteve të fundit janë bërë shumë reforma në kushte shumë të vështira, por kanë rezultuar reforma të suksesshme. Vendi i ka të gjitha kushtet për të ecur përpara me procesin e asociimit dhe shpresoj që t’ju shoh shumë shpejt në Bashkimin Europian, si anëtarë të BE, sepse ju jeni tashmë qytetarë të Bashkimit Europian. Vetëm duke ecur nëpër Tiranë e ndiejmë atmosferën e kryeqyteteve tona dhe është shumë e rëndësishme kjo ndjesi që kemi këtu, vërtet pro europiane në mënyrën tuaj të të jetuarit. Ndaj, jam shumë e lumtur që jam këtu dhe shpresoj t’ju shoh së shpejti si anëtarë të BE”, u shpreh Santos.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se Tirana po injekton çdo ditë e më shumë shpirtin europian te qytetarët, të cilët janë sot janë ndër kombet më pro unionit.

“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të prisja raporteren Isabel Santos dhe kolegët e saj europarlamentarë në Tiranë. Tirana është tashmë, jo vetëm epiqendër e të gjitha aktiviteteve të rinisë si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, por edhe i një injeksioni të përditshëm të asaj që është shpirti ynë europian. Më vjen mirë që shoh miq të rinj dhe të vjetër që promovojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Jemi të gjithë shpresëplotë! Detyra jonë është të kryejmë të gjitha rekomandimet dhe të ndërtojmë një copë Europe këtu, në vendin tonë. Sigurisht, jo çdo gjë varet nga ne. Shumë gjëra varen nga dinamika të ndryshme në vende të caktuara, se si i shikojnë marrëdhëniet me rajonin, se çfarë problemesh mund të kenë fqinjët tanë me disa fqinjë të tjerë të tyre. Por, unë besoj që ne, si drejtues të bashkive, duhet të krijojmë hapësira europiane në qytetet tona”, tha Veliaj.

Ai solli në vëmendje Kongresin e të rinjve socialistë, Javën e Kulturës Italiane, Javën e Kulturës Greke dhe shumë aktivitete të tjera politike e kulturore të organizuara në kryeqytet, në kuadër të vitit që i ka dhënë titullin Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë.