Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka identifikuar ditët e fundit raste të reklamave të fshehta. AMA u ka tërhequr vëmendjen këtyre OSHMA-ve, për mosrespektimin e kërkesave ligjore për reklamat dhe komunikimet tregtare.
Në ligjin 97/2013 përcaktohet qartë se, komunikim i fshehtë audioviziv me natyrë tregtare është “paraqitja me fjalë ose figurë e mallrave, shërbimeve, emërtimit, markës së prodhimit ose i veprimtarive të një prodhuesi mallrash ose ofruesi shërbimesh, në programe, kur një paraqitje e tillë, nga ofruesi shërbimit të mediave, ka për qëllim të shërbejë si reklamë dhe mund të mashtrojë publikun mbi natyrën e tij”, (neni 3, pika7). Gjithashtu, po aty, në nenin 42, pika 1, përcaktohet se: “Komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla. Komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”.
Mes rasteve të identifikuara si reklama të fshehta janë dhe ato për shërbimet spitalore dhe medikamentet që ofrohen pa recetën e mjekut. Keqpërdorimi i hapësirës audiovizive me promovimin e spitaleve, mjekëve, apo infrastrukturave shëndetësore është abuzim që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve. Orientimi për t’u trajtuar apo kuruar në mjekë apo institucioneve shëndetësore private të caktuara, ndikon në zgjidhjet e lira që bëjnë pacientët a familjarët e tyre, duke krijuar stres e konfuzion, pse jo dhe keqadresim në procesin e parandalimit dhe shërimit nga sëmundje të ndryshme.
Në “Rregulloren për komunikimet audio dhe/ose audiovizive me natyrë tregtare format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, neni 19, pika 9 thuhet se: “OSHMA-ja nuk duhet të transmetojë komunikim me natyrë tregtare në të cilën mjeku bën reklamë ose publicitet, në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të fushës së shëndetit”. Kurse Kodi i Transmetimit, sesioni 7, pika 7.6 përcakton: “Reklamat në transmetimet audiovizive për trajtimet mjekësore janë të ndaluara. Ndalohet që mjeku të merret me reklamë të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur ato kanë qëllim shkencor dhe edukativ”.
Edhe në “Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, në nenin 60, pika 3, përcaktohet se: “Është e ndaluar për mjekun të merret me reklamë a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal apo të një institucioni të caktuar”.
AMA ka konstatuar se për reklamat e medikamenteve që jepen pa recetën e mjekut ka përmirësime të ndjeshme nga OSHMA-të, të cilat po respektojnë kërkesat e rregullores “Për publicitetin e barnave”, sipas Urdhërit nr. 25 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 17.01.2019. Autoriteti megjithatë po vijon bashkëpunimin me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, duke njoftuar atë për çdo rast shkeljeje në rastin e promocionit të medikamenteve.
AMA do të vijojë monitorimin e përmbajtjeve audiovizive në formën e reklamave dhe komunikimeve tregtare, duke shqyrtuar rastet që nuk respektojnë kërkesat, duke vijuar me masa administrative sipas parashikimeve ligjore në fuqi.