Sukseset dhe sfidat e punës për rehabilitimin dhe riintegrimin e të rikthyerve nga zonat e konfliktit në Shqipëri, ishin në qendër të diskutimeve të Forumit të organizuar nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Global Community Engagement and Resilience Fund (GCERF).
Kryebashkiaku Erion Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës është angazhuar në dhënien e asistencës direkte për gratë dhe fëmijët që janë kthyer nga zonat e konfliktit. “Çfarë kombi jemi ne, në qoftë se mendojmë vetëm për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për gjeneratën e ardhshme?! Ndaj, i kam bërë me shumë zell betejat për kënde lodrash, për çerdhe e kopshte, sepse sot kemi një infrastrukturë që u shërben edhe këtyre grupeve të margjinalizuara. Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës është angazhuar në dhënien e asistencës direkte për gratë dhe fëmijët, që janë kthyer në këto zona të konfliktit. Kur vjen puna tek strehimi, është shumë kollaj të thuash që i shpëtuam, por pastaj me çfarë ushqehen, ku flenë, ku shkojnë në shkollë, ku arsimohen”, tha Veliaj.
Krahas ndihmës direkte për strehim dhe ushqim, një vëmendje të posaçme Bashkia e Tiranës i kushton dhe dhënies së ndihmës psikologjike për të rikthyerit nga zona e luftës.
“Më vjen mirë që Bashkia është përfshirë në dhënien e ndihmës psikologjike e psikiatrike për të rikthyerit. Trauma ka qenë e madhe kur kanë shkuar në ato konflikte, por edhe rikthimi në Europë dhe rikthimi në një Tiranë që gëlon, ku njerëzit, secili vrapon për karrierë e për sukses dhe nuk e ka mendjen shumë tek fqinji në nevojë, ky është një funksion që do të duhet ta kryejmë bashkë”, nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se Tirana është qyteti i mundësive për këdo që do të nisë një jetë të re, ndërsa kërkoi dhe bashkëpunimin e komunitetit për të lehtësuar këto plagë. Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës mbetet e përkushtuar për të mbështetur përmes programeve të saj edhe fuqizimin ekonomik të tyre. “Tirana është qyteti jo vetëm i shanseve të para, por Tirana është edhe qyteti i shanseve të dyta. Për këto familje që kërkojnë shanse të dyta, besoj se Tirana është vendi i duhur, por lipset që edhe komuniteti, shokët e klasës, shoqet e pallatit, gjithashtu të sensibilizohen. Këto familje do jetojnë me lëmoshë apo ndoshta programi ynë për fuqizimin ekonomik, për të krijuar një biznes të vogël, për të hapur një dyqan, për të pasur disa aftësi bazë, për të fituar jetën me dinjitet dhe jo me lëmoshë, është gjithashtu pjesë e angazhimit tonë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që po e bëjmë këtë”, nënvizoi Veliaj.
Në këtë aspekt, Bashkia e Tiranës do të sigurojë mbështetje financiare jo vetëm për viktimat, por edhe për edukimin e fëmijëve që vijnë nga zonat në konflikt, duke ofruar kurse të posaçme.
“Unë do të doja që disa nga këta fëmijë të shkojnë në kurset tona të TUMO-s, dhe të mësojnë se si kodohet, të jetojne me dinjitet, pa marrë përsipër risqe të panevojshme këtu. Do të doja shumë që disa nga bursat ne t’i adresojmë për këta fëmijë”, theksoi Veliaj.
Ndërkaq, Veliaj falënderoi dhe komunitetet fetare për kontributin e tyre në edukimin teologjik. “Dua të falënderoj të gjithë liderët e Komuniteteve Fetare sepse shoh që një theks të madh e kemi vënë në edukimin teologjik. E shikoj shumë të dobishme që pjesë e kësaj platforme është edhe edukimi teologjik”, deklaroi ai.
Iris Luarasi, Drejtuese e Linjës së Këshillimit për Gratë dhe Vajzat falënderoi Bashkinë e Tiranës si partnere dhe mbështetëse e vazhdueshme e kauzave të tilla.