Roma u rikthye te trofetë pas plot 14 vitesh dhe u desh që në pankinë të ulej një mjeshtër si Jose Mourinho, për t’u dhënë verdhekuqve titullin kampion në Conference Legue, kompeticionin më të ri të UEFA-s.

Në kryeqytetin italian janë të bindur se trajneri portugez është i duhuri për të hapur një cikël fitues dhe pas suksesit në Europë, janë gati t’i plotësojnë dëshirat e merkatos, për t’i vënë në dispozicion një skuadër edhe më të fortë se ajo e sezonit të kaluar.
Nemanja Matic ishte dhurata e parë për Mourinhon, me mesfushorin serb që ishte lojtar i lirë, pasi i përfundoi kontrata me Manchester United dhe zgjodhi pikërisht Romën për të vijuar karrierën, për t’u bashkuar sërish me trajnerin portugez.

Ndërkohë mediat italiane bëjnë me dije se verdhekuqtë kanë mbyllur marrëveshjen edhe për dy futbollistë të tjerë, që do të jenë në dispozicion të Mourinhos për sezonin e ardhshëm.

Bëhet fjalë për sulmuesin norvegjez të Bodo/Glimt, Solbakken si dhe anësorin e Lille, Zekih-Çelik, të cilët pritet të shtojnë alternativat dhe cilësinë në dispozicion të Mourinhos.

Marrëveshja me të dy lojtarët është arritur plotësisht tashmë dhe drejtuesit e Romës po negociojnë me klubet e futbollistëve, teksa shumë shpejt pritet që këto transferime të marrin formë zyrtare./ SuperSport