Është rrëzuar për herë të tretë në Konferencën e Kryetarëve kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Kryetari i grupit parlamentar të PD e quajti skandaloz këtë vendim. Ai tha se PD do të ndjekë të gjithë rrugët deri në fund.
“Ne do t’i bëjmë me dije të gjitha arsyet reale të rrëzimit të kërkesës sot”, tha Alibeaj.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozituar për herë të tretë kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. PD kërkon ngritjen e këtij komisioni pasi sipas tyre ka dyshimet për abuzime dhe klientelizëm për projektet strategjike.
Kërkesa është firmosur nga 35 deputetë të opozitës, mes tyre edhe ish-kreu i PD-së Luzlim Basha. Ajo çfarë vihet re është se deputetja Ina Zhupa ka tërhequr firmën e saj që pas bashkimit me grupin e Sali Berishës, ndërkohë që në kërkesën e parë drejtuar Kuvendit ajo ishte një prej firmëtarëve.
Mazhoranca socialiste rrëzoi të enjten kërkesën e dytë të deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike. Përsëritja e kërkesës u bë pasi Agron Duka tërhoqi firmën pak ditë më parë, ndërsa në vend të tij për ngritjen e komisionit firmosën Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, të cilët sipas argumentimeve të demokratëve për shkak të axhendës nuk kishin mundur të firmosnin. Por socialistët e rrëzuan me pretendimin se kërkesa duhet të ishte bërë nga fillimi dhe firmat duhet të ishin mbledhur sërish pas tërheqjes së deputetit Duka.
Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. PD thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas tyre i janë dhënë miqve të Ramës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar PD përcaktoi edhe përbërjen e Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike ku kryetar ishte parashikuar Gazment Bardhi. Gazment Bardhi që është edhe inciatori për ngritjen e këtij Komisioni, ka thënë qartë që qëllimi është që me anë të kësaj të kuptohet që shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.