Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, bëri thirrje të martën që marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të “mbështetet në njohjen e ndërsjellë” dhe Serbia t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Thirrjet janë pjesë e raporteve të këtij komisioni për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën, që më pas do të debatohen në Parlamentin Evropian.
Komisioni tha se mbështet bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe “rithekson rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga ana e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, të mbështetur në njohjen e ndërsjellë, që është thelbësore për të dyja vendet”. Komisioni bëri thirrje që të gjitha marrëveshjet e kaluara të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.