Mariupol mund të ndryshojë emër, madje mund t´i rikthehet atij që ka patur për gati gjysmë shekulli. Forcat ruse kontrollojnë tashmë qetësisht qytetin e rëndësishëm në brigjet e Detit të Zi, që dikur ka patur më shumë se 500 mijë banorë, por rikthimi në normalitet për rreth 100 mijë banorë te mbetur duket pothuajse i pamundur, duke parë shkatërrimin nga dyluftime te ashpra.
Autoritetet pro-ruse që po administrojnë qytetin po tentojnë gjithsesi t’i japin një fasadë normaliteti situatës, por edhe duke bërë të qarte që kjo zonë tashmë i përket Rusisë.
Burimet ukrainase flasin për të paktën 22 mijë të vdekur civilë në Mariupol, shumë prej tyre nuk kanë pasur funeral. Sipas autoriteteve shëndetësore, mundësia e përhapjes së kolerës është shumë e lartë, edhe pse nuk regjistrohen ende raste të tilla.
Pamjet e shpërndara tregojnë ndryshimin në monumentin në hyrje të qytetit, i pikturuar zakonisht me flamurin ukrainas, por që tashmë mban të bardhën, blunë dhe të kuqen e simboleve ruse.
Gjithashtu, zëra gjithmonë e më të shpeshta bëjnë të ditur ndërkohë që Këshilli Bashkiak pro rus mund të vendosë ndryshimin e emrit Mariupol në Zhdanov, emrin e personazhit famëkeq të Bashkimit Sovjetik, simbol i censurës dhe ndëshkimeve në masë të disidentëve gjatë regjimit të Stalinit, dhe ndoshta pasardhësi i tij po mos të kishte vdekur përpara.
Pikërisht Andrei Zhdanov kishte lindur në Mariupolin e sotëm, që mbajti emrin e tij nga viti 1948 deri në 1989.
Ndërkohë, situata sanitare në qytet po bëhet gjithmonë e më e rëndë. Temperaturat që po ngihen dita- ditës po sjellin rrezik infeksioni të shtuar nga kufomat që gjenden në rrënojat e rreth 1300 pallateve që sipas autoriteteve ukrainase janë shkatërruar vetëm në atë qytet.