Në kushtet kur siguria e Europës është vendosur në pikëpyetje për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO ka nisur një samit historik në Madrid. Anëtarët e aleancës pritet të diskutojnë dhe vendosin për sfidat e reja, të cilat kërcënojnë rendin në botë.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg tha sot në nisje të samitit se fokusi i këtij samiti do të jetë pushtimi i Ukrainës, pranimi i dy anëtarëve të rinj: Suedia dhe Finlanda, si dhe përcaktimi i qartë që Rusia është kërcënimi kryesor i NATO-s në konceptin e ri strategjik, ndryshe nga sa ishte përcaktuar më parë si një partner strategjik.

Ndërkohë pak para nisjes e punimeve, ka folur edhe Presidenti amerikan Joe Biden i cili ka nënvizuar shtimin e vëmendjes së shteteve të bashkuara ndaj asaj që po ndodh në Europë.

Në një moment kur Putin ka shkatërruar paqen në Evropë, SHBA dhe aleatët po rriten duke dëshmuar se NATO është më e nevojshme se kurrë dhe më e rëndësishme se kurrë.

Biden dhe Stoltenberg pohuan se NATO do të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, diçka e vendosur më parë edhe në takimin e G7.

Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili është shoqëruar nga ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministrja e jashtme OLta Xhaçka.