Rusia dhe Turqia shprehën mbështetje të mërkurën për krijimin e një korridori të sigurt detar në Detin e Zi, në mënyrë që Ukraina të mund të eksportojë grurë në tregjet globale në mes të një krize të përshkallëzuar botërore të ushqimit.

Por Rusia kërkoi që Deti i Zi të çminohej dhe Turqia tha se lejimi i eksporteve të Ukrainës duhet të shoqërohet me lehtësimin e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu priti homologun e tij rus Sergej Lavrov në Ankara të Turqisë për diskutime të fokusuara në një propozim të OKB-së për të liruar portet e Detit të Zi të Ukrainës dhe për të lejuar dërgimin e 22 milionë tonelatave drithëra, raporton agjencia e lajmeve AP. Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të vajit të grurit, misrit dhe lulediellit, por lufta dhe bllokada që Rusia ia bëri porteve të saj e kanë ndalur pjesën më të madhe të këtij fluksi, duke rrezikuar furnizimin me ushqim për shumë vende në zhvillim.

Shumë nga ato porte tani janë gjithashtu të minuara. Rusia i ka kërkuar Ukrainës që të heqë minat nga zona pranë portit të Odesës në Detin e Zi për të lejuar eksporte të sigurta të grurit.

Presidenti rus Vladimir Putin është zotuar se Rusia nuk do të përdorë korridoret e çminuara për të nisur një sulm në portin kryesor ukrainas të Odesas por Putin insistoi gjithashtu në fillim të këtij viti se ai nuk kishte plane për të pushtuar Ukrainën. Lavrov tha të mërkurën në Turqi se Rusia është gati të bëjë zyrtare këtë garanci për Odesën.

I dërguari rus premtoi se Rusia nuk do të “abuzonte” me avantazhin e saj detar nëse portet e Ukrainës çminoheshin dhe “do të ndërmerrte të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që anijet të mund të largohen lirisht nga atje”.

Moska insistoi gjithashtu në të drejtën e saj për të kontrolluar anijet që hynë për tu ngarkuar me grurë për t’u siguruar që ato nuk janë duke transportuar armë për në Ukrainë.

Ukraina, e cila nuk u përfaqësua në takimin e Ankarasë, thotë se premtimi rus për të mos përdorur korridoret e sigurta të transportit për të sulmuar Odesën nuk është i besueshëm.

Kreu i grupit të tregtarëve të grurit të Ukrainës nuk e ka marrë seriozisht përpjekjen e Turqisë për të negociuar një marrëveshje me Rusinë për të lejuar rifillimin e eksporteve të drithërave ukrainase, duke thënë se Ankaraja nuk është aq e fuqishme sa të veprojë si garantuese kundër Rusisë.

Si Rusia ashtu edhe Turqia do të përfitonin nga plani i eksportit. I njëjti korridor do t’i mundësonte Rusisë të eksportonte në mënyrë të sigurt ushqimin dhe plehrat e saj. Turqia thotë se do të lehtësonte dhe mbronte transportin e drithit në Detin e Zi. Megjithatë për tu arritur kjo marrëveshje do të duhen negociata në mes të Moskës dhe Kiveit.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan diskutuan krijimin e një korridori të sigurt detar javën e kaluar, tha të martën Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Ministria bëri thirrje gjithashtu për garanci sigurie, të tilla si furnizimi me armë për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve detare dhe pjesëmarrja e anijeve të NATO-s në Detin e Zi./R.E.L