Një nga aleatët më besnikë të Vladimir Putinit ka pohuar se “Kalorësit e Apokalipsit kanë nisur rrugën e tyre”, teksa ai paralajmëroi SHBA-të që të mos furnizojnë Ukrainën me armë.
Dmitry Medvedev, ish-presidenti i Rusisë kërcënoi Perëndimin me një sulm të gjithanshëm për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
I njohur si “Njeriu PO” i Vladimir Putin, Medvedev shihej më parë si më i moderuar se udhëheqësi rus, megjithëse ai ka mbajtur një qëndrim gjithnjë e më të ashpër vitet e fundit. Si nënkryetar i këshillit të sigurisë kombëtare të Rusisë, ai lëshoi një kërcënim rrëqethës ndaj Ukrainës dhe aleatëve të saj javën e kaluar.
Kjo deklaratë pason një paralajmërim të mëparshëm nga Medvedev, se Rusia ishte gati të zgjeronte operacionet e saj ushtarake nëse do të sulmohej nga raketat perëndimore të furnizuara në Ukrainë.
Duke iu referuar postimeve të tij të zjarrta në aplikacionin e mesazheve Telegram, ai tha: “Më pyesin shpesh pse postimet e mia në Telegram janë kaq të ashpra. Përgjigja është që i urrej. Ata janë të çuditshëm dhe të degjeneruar. Ata duan vdekjen për Rusinë. Dhe ndërsa unë jam gjallë, do të bëj gjithçka për t’i zhdukur”.
Ndërkohë nga Rusia, ish-deputeti i opozitës ruse Dmitry Gudkov ka pohuar se Medvedev po përgatit një rrëmbim pushteti nëse Putini detyrohet të largohet nga detyra.
“Ai po përpiqet t’i mëshojë vijës së ashpër me shpresën se ata do ta promovojnë atë, në rast se Putini largohet nga posti”, tha ai për The Times.
Në prill, ai shkroi një postim të zhurmshëm në Telegram duke justifikuar pushtimin e Ukrainës dhe duke bërë thirrje për zgjerimin e ndikimit rus në të gjithë Evropën dhe Azinë.
Medvedv asokohe tha se “detyrat komplekse” të “çmilitarizimit dhe denazifikimit të Ukrainës” ishin qëllimet kryesore dhe se ato nuk do të vendoseshin vetëm “në fushën e betejës”.
Në një letër të gjatë, ai shkruante: “Të ndryshosh ndërgjegjen e përgjakshme dhe plot mite të rreme të një pjese të ukrainasve të sotëm është qëllimi më i rëndësishëm. Qëllimi është për hir të paqes së gjeneratave të ardhshme të vetë ukrainasve dhe mundësinë për të ndërtuar përfundimisht një Euroazi të hapur – nga Lisbona në Vladivostok”.