Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla në një prononcim për mediat u shpreh se Kushtetuta është e qartë për sa i përket procedurës për zgjedhjen e kandidatit Bajram Begaj.
Ai hodhi poshtë akuzat e Sali Berishës, duke thënë se Presidenti Ilir Meta ka dhënë dekretin duke liruar Bajram Begajn nga detyra, në tokë shqiptare, pasi Konsullata shqiptare në Stamboll, është tokë shqiptare.
Balla, e ka cilësuar Sali Berishën si fantazmë, ndërsa për Grupin e PD tha se nuk ka mësuar asgjë nga gabimet e të shkuarës. Sipas Ballës bojkoti është fyerje për çdo demokrat.
“Fantazmat kanë gjithmonë një problem me gjeografinë se lëvizin nëpër territore. Por të thuash që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare por turke, është si të thuash deti i Shqipërisë është e Greqisë. Apo si kjo Gjykata e Parisit të jetë amerikane. Është proces tërësisht kushtetues. Kuvendi sot ka pritur me seriozitet procedurën” tha Balla.