Ministri federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg, deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Schallenberg paralajmërsoi se në samitin e radhës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet më 23 qershor, ai do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Schallenberg tha, po ashtu, se BE-ja duhet t’i hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai i bëri komentet gjatë një konference të përbashkët për media me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. Qeveria e Kosovës këmbëngul se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.
Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, si Franca dhe Holanda, të cilat kanë shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkaq, BE-ja nuk i ka nisur ende negociatat e anëtarisimit, pasi Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve me Maqedoninë e Veriut, që lidhen me gjuhën dhe identitetin. Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut./R.E.L