Volodymyr Zelensky i ka kthyer përgjigje presidentit të Francës Emanuel Macron i cili së fundmi është shprehur se nuk do ta poshtërojmë Rusinë.
“Disa njerëz duan të bëhen liderë. Të jesh lider nuk do të thotë thjesht ta konsiderosh veten si lider, por të sillesh si i tillë,” tha Zelensky për Financial Times.
Madje ai pyeti “si mund të arrijmë një armëpushim në territorin e Ukrainës pa dëgjuar qëndrimin e vendit dhe pa dëgjuar qëndrimin e liderit të këtij vendi?.” Më 28 maj, Emanuel Macron dhe Olaf Solz kontaktuan Vladimir Putin, për vendosjen e një armëpushimi me Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, ata i bënë thirrje presidentit rus që të ketë kontakte të drejtpërdrejta me homologun e tij ukrainas.
“Ne nuk do të poshtërojmë askënd,” iu përgjigj Zelensky, Macronit.
Kujtojmë se, në një intervistë të publikuar të shtunën, presidenti francez deklaroi: “Ne nuk duhet të poshtërojmë Rusinë, në mënyrë që në ditën e ndalimit të luftimeve të mund të bëjmë një dalje (nga kriza) me mjete diplomatike. Jam i bindur se roli i Francës është të jetë një fuqi ndërmjetëse”.
“Ne nuk do të poshtërojmë askënd,” u përgjigj Zelensky. “Thjesht do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë.”
Presidenti i Ukrainës deklaroi se ishte i përgatitur për negociata me Rusinë. Megjithatë, ai e bëri të qartë se i vetmi person me të cilin mund të diskutojë përfundimin e luftës është Vladimir Putin.