Zëvendës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Demian Smith, deklaroi se sistemi i drejtësisë nuk i shërben më politikanëve dhe personave të pasur apo që janë të inkriminuar.

Kjo, pasi kanë nisur të shihen rezultatet nga arrestimet e politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë.

Lajmi u bë i ditur nga diplomati amerikan, duke cituar fjalën e tij gjatë konferencës së organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).

Konferenca e këtij institucioni titullohet “Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë̈ dhe pavarësia e magjistratëve”.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe zyrtarë ndërkombëtarë.

“Shqiptarët kanë nisur të shohin rezultate nga arrestimi i politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve të krimit të organizuar”, u shpreh fillimisht Smith.

Sipas tij, janë duke u vërejtur hapat e parë të një epoke të re ku sistemi mund t’i shërbejë shqiptarëve.

“Kjo është një pikënisje dhe duhet bërë më shumë, është po kaq e rëndësishme që ta përdorni për llogari të qytetarëve tuaj. SHBA-të iu inkurajojnë që të vazhdoni me punën pavarësisht pengesave që hasni. Po shohim efektin e një sistemi më të pasur drejtësie”, ravijëzoi në përmbyllje zëvendës ambasadori amerikan.