Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë mbetet një ndër destinacionet e preferuara për turistët vendas e të huaj.

Për ta bërë më të lehtë aksesimin nga vizitorët Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit vazhdon punën për përmirësimin e infrastrukturës, markimin/shënjimin dhe pastrimin e shtigjeve këmbësore, duke larguar degë, drurë të rrëzuar, gurë, etj.

Sipas ADZM Elbasan, ky park në këtë sezon ka destinacione të mrekullueshme për t’u vizituar.

Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, kullotat, tokat bujqësore etj. Në këtë park turistët kanë mundësi të shijojnë liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera.