Rritja e çmimeve globale të ushqimeve është “një pasojë e drejtpërdrejtë” e luftës në Ukrainë dhe jo, siç ka pohuar Moska, pasojë e sanksioneve të BE ndaj Rusisë ka deklaruar shefi i NATO-s.

 

“Eksporti i ushqimit dhe drithit nga Ukraina është jashtëzakonisht kritik,” u tha Jens Stoltenberg gazetarëve në Bruksel.

 

“Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe drithërave tregon pasojat globale të kësaj lufte.”

“Rusia përpiqet të krijojë narrativë se rritja e çmimeve të grurit është shkaktuar nga sanksionet tona – kjo nuk është e saktë.”

Sekretari i Përgjithshëm thotë se përpjekjet ndërkombëtare po vazhdojnë për të hequr bllokadën ruse të porteve të Detit të Zi për të lejuar eksportin e grurit ukrainas, e Turqia është një lojtar kyç në negociata, raporton BBC.

“Ka disa përpjekje për të nxjerrë pak grurë mbi tokë – vendet e NATO-s janë të përfshira në këtë”, shtoi Stoltenberg.

Në fillim të kësaj jave, shefja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, paralajmëroi për një rritje të mprehtë të pasigurisë ushqimore globale ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.