Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka folur në Kuvend pasi kishte kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama dhe ka shprehur shqetësimin e tij për vendimin e qeverisë që sipas tij i ka falur pronën publike në Himarë, familjes së ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Sipas, Shehajt kompania e krijuar rishtazi me emrin AGTCC Management është në pronësi të një shtetase amerikane, e cila rezulton të jetë bashkëjetuesja e vëllait të ministres Xhaçka dhe nuk posedon asnjë kapital financiar përveç këtij raporti familjar.
Agron Shehaj: Të bësh interpelancë për një vjedhje në këtë Parlament me këtë qeveri mund të tingëllojë absurde. Ky Parlament është përdorur për disa nga vjedhjet më të mëdha në vend. Çdo tender një grabitje dhe çdo ligj një favor. Pse mendoni ju se Rama dhe Xhaçka nuk marrin as mundimin më të vogël të fshehin vjedhjen? Sepse ato pak metër katrorë për ata nuk janë asgjë në krahasim me 400 mln euro e inceneratorëve. Ndaj afera për të cilën flasim sot tregon një qeveri që mblidhet për ti dhënë përfitime nga fondet publike një anëtari të kabinetit. Më 2 mars Komiteti për Investimet Strategjike vendosi miratimin për Drimadhes Luxury Suite. Me firmë të kryeministrit.
A e dinte kryeministri se me këtë firmë i dha ministres së jashtme statusin e investitorit strategjik?
I fali plazhin publik për 30 vjet ministres. A e dinte se përmes këtij vendimi po i falte taksat ministres së Jashtme? E dinte shumë mirë se kompania AGTÇ Shpk është në pronësi të zotit Gaçi, bashkëshortit të ministres.
Ishin të vetëdijshëm se kishin bërë një krim. Familja Xhaçka e dinte se përfitimet ishin në shkelje të Kushtetutës. Dhe për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me emër shumë të ngjashëm me të parën, por jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të afërt. Tre javë pas ndryshimit të emrit të kësaj kompanie, Edi Rama ndryshoi vendimin. Pronarja e kësaj kompanie të re është një shtetase amerikane, zonja Saton që bashkëjeton me vëllain e ministres së jashtme dhe s’ka asnjë kapital dhe asnjë eksperiencë në menaxhim hotelerie. Ajo bashkëjeton në të njëjtën adresë me vëllain e ministres. Edi Rama mblodhi qeverinë dhe i dha kompanisë AGTCC Mengament për 30 vjet pronën publike në Himarë.
Kushtetua e Shqipërisë thotë se deputetët nuk duhet të kryejnë asnjë veprimtari që përfiton nga pronat publike.
Ministrja për Shtetin dhe Parlamentin, Elisa Spiropali i është kundërpërgjigjur akuzave të Shehajt, ndërsa theksoi se po tenton që të bëjë furtunë me gotën e dollisë kundër bizneseve. Sipas saj, statusi investitor strategjik nuk është favor, por e drejte ligjore. Mes të tjerash ajo nuk e kurseu ironinë dhe për Gazmend Bardhin.
I nderuar zoti Shehaj, faleminderit për pyetjet tuaja. Ekziston një bindje që shkon përtej kësaj salle, që pretendon se s’ka pyetje të gabuara, por përgjigje. Edhe pse nuk është rasti. Jeni ju vetë personi i gabuar për ti ngritur këto pikëpyetje. Sipas asaj sindromës së famshme; po të isha unë aty, kushedi çdo bëja. Ata mendojnë jo me logjikë, por i nënshtrohen arsyes. Ju zoti Shehaj, po tentoni të bëni të njëjtën gjë në politikë, si në biznes, por ju po dëshmoni moskuptim. Bashkë me të tjetër, në rastin e një kërkese absurde për ngritjen e një gjyqi popullor. Po tentoni që të cënoni reputacionin e investitorëve.
Mos qesh Gaz, se shumë gaz të papërmbajtur ke këto kohë. meqë ju jeni një bletë e artë e biznesit, më lejoni se furtuna që ngrini në gotat e dollisë suaj, është më shumë se një zukatje grenze të zemëruar. Mos fol nga vendi. Ju e dini mirë se ç’po bëni. Statusi i investimeve strategjike nuk është favor, por e drejtë ligjore që iu jepet investitorëve. Kundrejt një të mire publike që këta investitorët i sjellin vendin. Xhaçka nuk është anëtare e komitetit të investimeve strategjike, nuk është pjesë e vendimmarrjes. Kjo përjashton përfshirjen e saj në konflikt interesi. Sa i takon mbledhjes së këshillit të ministrave përpara mbledhjes Xhaçka ka njoftuar të mos marrë pjesë për të garantuar paanshmërinë e vendimmarrjes së këshillit të ministrave.”, tha Spiropali.