Kryeministri Edi Rama është duke marrë pjesë në një takim me ekspertë shqiptarë e të huaj, me fermerët dhe agropërpunues, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.

Teksa diskutohet për bujqësinë dhe sfidat e saj, kryeministri ka kërkuar që fermerët dhe prodhuesit tanë të orientohen nga teknologjia, pasi sipas tij është dija ajo që do të rrisë prodhimin dhe do të shtojë alternativat për tregtimin e produktit.

Një thirrje, Rama e pati edhe për ata prodhues në bujqësi apo blegtori që i hedhin produktet në rrugë dhe “mallkojnë” qeverinë, duke i ftuar që të mësojnë nga të tjerët që në këtë kohë krize ka shtuar eksportet jashtë vendit për të njëjtat mallra.

FJALA E RAMËS:

Të krijojmë sa më shumë kanale komunikimi me të gjithë komunitetin e fermerëve për të përcjelle informacionet më të fundit për zhvillimet teknologjike, për të përcjellë edhe të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, bashkëpunimeve dhe sinergjive të ndryshme.

Dua ta falënderoj profesorin Hazenauer që na i ka hapur dyert me shumë përkushtim nga ana e tij dhe pedagogëve në universitetin e Vjenës.

Është privilegj që të kemi mbështetjen e qeverisë së Izraelit përmes përfaqësuesit të saj këtu, ambasadorit, që është i përkushtuar të bëjë më shumë në këtë drejtim. Izraeli është mbase shembulli më domethënës për të gjithë botën për të kuptuar një gjë shumë të thjeshtë, që niveli i suksesit për të prodhuar një zhvillim që sjell mirëqenien varet nga sa di jo nga sa ke. Izraeli nuk ka ujë, nga Zoti nuk ka ujë, por është vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe të ujitjes në bujqësi.

Pse?

Sepse në mungesë të ujit dhe të bollëkut të ujit siç e kemi ne, Izraeli ka investuar tek mendja, tek dija, tek informacioni dhe ka transformuar një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm, duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël, qoftë për të pirë, qoftë për ujitje. Dhe duke ricikluar ujërat e zeza për ujitje.

Por edhe këtu në territorin e bujqësisë sonë ka shumë shembuj zhvillimi dhe suksesi nëpërmjet dhënies së vëmendjes së veçantë te dija. Josifi është një nga kampionët e bujqësisë sonë. Jo se ka pasur më shumë se të tjerët, por sepse ka ditur më shumë se të tjerët, sepse është përkushtuar në rrugën e dijes, së informacionit, të inovacionit, të marrjes së eksperiencave më të mira. Dhe sot serat e tij janë shembuj spektakolar jo për Shqipërinë, por të ekselencës europiane. Nëse shohim standarte, nivelin, prodhimtarinë, higjienën, teknologjinë e ekselencës europiane në sera, edhe serat e Josifit janë pjesë e saj.

E gjitha lidhet me dijen, sepse vullnet për të punuar tokën kanë edhe të tjerë. Nuk është se ata që shohim në televizor duke mallkuar shtetin, ju mungon vullneti për punë apo nuk u ka rrjedhur djersa për ato produkte. Edhe vullnetin e kanë dhe djersën e kanë derdhur, por diferencën e bën dija, që lidhet me informacionin. Këtu i takon qeverisë të bëjë edhe më shumë, për të komunikuar, shpjeguar dhe njoftuar , por edhe vetë fermerëve u takon të bëjnë më shumë. Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne por të shkojnë e shohin si bëjnë të tjerët. Dalin në TV pamjet e disa fermerëve që hedhin produktet e tyre se nuk i shesin dot dhe bërtasin për qeverinë dhe për çmimet. Dhe kjo do ishte shqetësuese nëse do ndodhte me qershitë e gjithë Shqipërisë, por ka të tjerë që me qershi dhe në këtë kohë bëjnë sukses. Dhe bëjnë më shumë sukses si rezultat i rritjes së çmimeve.

Cili është dallimi mes të parëve dhe të dytëve?

Për të njëjtën sasi djerse të derdhur disa e hedhin prodhimin dhe disa bëjnë të ardhura të larta falë atij prodhimi, se janë të njëjtat struktura, i njëjti shtet, të njëjtat dobësi nga shtetit dhe kemi dy realitete të ndryshme. E para ata fermerë duhet të shkojnë te ata të tjerët dhe ta pyesin si e bëni ju këtë?! Dhe e dyta i takon ministrisë, AZHBR-së që të ndërtojnë këto ura komunikimi që të transferojnë dijen e krijuar nga njerëzit në territor. Kriza që ne sot kemi para syve tanë është një krizë që as e kemi krijuar ne as e ndalojmë dot ne. Është krizë botërore. Sot flitet për një dimër shumë të vështirë përpara dhe mungesa të mëdha për disa zona të botës, ku ne nuk përfshihemi për momentin. Ashtu siç edhe me rritjen e çmimit të naftës dhe energjisë, që në Shqipëri nuk është rritur. Vjet u fol për fundin e bujqësisë shqiptare, u fol për apokalipsin. Por ekspertet tona janë rritur me plus 41 milionë dollarë në vlerë dhe në volum janë rritur me plus 23%.