Shqipëria do të dërgojë trupa në Bullgari në kuadër të vendimit të NATO-s për të përforcuar praninë ushtarake në Europën Lindore pas agresionit rus në Ukrainë.
“Së shpejti do të jemi ushtarakisht edhe në Bullgari, në krahun lindor të NATO-s që po përforcohet për shkak të agresionit rus”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në përfundim të mbledhjes së Qeverisë këtë të mërkurë. Në ditët e para të pushtimit rus në Ukrainë, NATO mori vendim që të shtojë praninë ushtarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

NATO po dërgon elementë shtesë të Forcës së saj të Reagimit, prej 40,000 trupash në vendet e Europës Lindore në kufi me Rusinë dhe Ukrainën. Aleanca ka 100 avionë luftarakë në gatishmëri të lartë dhe 120 anije, duke përfshirë tre grupe transportuesish, që patrullojnë detet nga veriu i largët deri në Mesdheun lindor. Këto grupe u bashkohen katër grupeve luftarake shumëkombëshe që NATO ka në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni dhe brigadës së saj shumëkombëshe në Rumani.

Ndërkohë, vendimi tjetër i Qeverisë ishte rritja e pagave për ushtarakët me 30 për qind. Vendimi hyn në fuqi nga 1 korriku dhe sipas ministrit Peleshi “i bën ushtarakët shqiptarë ndër më të paguarit në rajon”. “Të gjithë ushtarakët nga data 1 korrik do kenë pagë 30% më të lartë. Ç’ka do të thotë se, paga minimale në FA është më shumë se 51 mijë lekë të reja, shtuar këtu dhe paga shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësive.