Kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenercic i dorëzoi komisionerit të BE kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm.
Ai deklaroi se anëtarësimi është një hap shumë domethënës dhe lehtësim i madh për vendin, për nevojat që ka.
Rama tha se janë domethënëse rastet që ky mekanizëm i asistencës civile të BE-së i ka dhënë Shqipërisë, si tërmeti dhe pandemia.
“Reformimi i sistemit të mbrojtjes civile është në proces, në rang kombëtar dhe sigurisht edhe si bashkërendim në nivel europian. Janë domethënëse rastet që mund të kujtojmë që ky mekanizëm i asistencës civile të BE-së i ka dhënë Shqipërisë. Tërmeti një moment jashtëzakonisht me peshë në këtë mbështetje, por edhe çfarë pasoi me pandeminë përsëri ishte mbështetja e këtij unioni të mbrojtjes civile që na i lehtësoi plagët dhe na e lehtësoi përballjen me armikun e padukshëm. Nga ana tjetër edhe falë ndihmës së drejtpërdrejt të komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm nga përballjet me zjarret e rënda në vitin e shkuar, ku mjetet ajrore që u përdorën nga shtete si Holanda, apo Republika çeke i përkisnin këtij mekanizmi.
Europa këtë mekanizëm e ka ngritur në funksion të domosdoshmërisë për ta përballur së bashku ndryshimin e klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës pikërisht në mjedisin tonë. Mjedisin e çdo vendit, të Europës. Mekanizmi i BE-së është në krye të përpjekjes për të garantuar një mbështetje sa më të madhe për Ukrainën. Gjithçka që nuk është armatim, që nga ushqimi, ambulancat, medikamentet, asistenca për karburant etj. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbështetjes civile, është një hap shumë domethënës, por edhe një lehtësim i madh për ne, po të kemi parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë”, deklaroi Rama.