Ndoshta nuk mund të quhet një lloj “supremacie rajonale”, por për ambasadorin e përhershëm e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, nuk ka pikë dyshimi se roli i Tiranës në rajon, është aktiv, dinamik, përmbajtësor dhe pararojë.
Në një intervistë ekskluzive të dhënë për Albanian Post, Hoxha ka shpjeguar se si Shqipëria e arrin këtë gjë dhe mbi të gjitha, se si ajo është kontribuuese e drejtpërdrejtë për sigurinë dhe bashkëpunimin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.
Sipas diplomatit, ky rol ka ardhur duke u forcuar dhe rritur ndër vite, edhe para fillimit të mandatit në Këshillin e Sigurimit, i cili, natyrshëm vetëm e ka bërë ndikimin e politikës tonë të jashtme dhe rolin e diplomacisë tonë në rajon më evident dhe më relevant.
“Ka një konsensus dhe një të vërtetë që askush nuk mund ta mohojë apo zhbëjë, si në rajon, ashtu edhe në mbarë hapësirën evropiane”, shpjegon ai. “Shqipëria është një kontribuuese e drejtpërdrejtë për sigurinë dhe bashkëpunimin për rajonin dhe më gjerë”.
Kjo gjë për të, vlen edhe për faktin se në thelb, Shqipëria dhe në tërësi shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, janë pjesa më vitale e rajonit në rrugën e transformimit dhe demokratizimit.
“Duhet theksuar gjithashtu se në Këshill, si anëtar dhe përfaqësues i Grupit të Vendeve të Evropës Lindore, Shqipëria përçon në Këshill edhe shqetësimet dhe nevojën për vëmendje të rajonit”, vijon më tej ambasadori.
Madje, ai shtjellon duke thënë se deri diku, të gjitha vendet e vogla synojnë që zëri i tyre të dëgjohet në dhomën më të rëndësishme të politikëbërjes dhe ligjit ndërkombëtar në botë.
Kështu, Shqipëria ka sjellë në Këshill dhe do vazhdojë ta bëjë këtë, të gjitha shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet rajoni ynë.
Mbi interesat e përgjithshëm të vendit, ai radhit konsolidimin e paqes, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë si edhe integrimin euroatlantik të gjithë rajonit.
E gjithë kjo, bëhet duke garantuar mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Ndaj, vizioni dhe investimi final i diplomacisë shqiptare, është një: Të kontribuojnë edhe në lehtësimin e avancimit në të mirën e përbashkët dhe duke u bazuar e ndjekur shembullin evropian.