Vëllai i madh i Paul Pogba, Florentin Pogba ka mbyllur aventurën e tij në Francë, me Sochaux për të provuar një eksperiencë të re, larg Europës, në kampionatin indian me skuadrën e ATK Mohun Bagan.

Kjo është hera e dytë që ai largohet nga “kontinenti i vjetër”, pas eksperiencës 12 mujore në MLS, USA me Atlanta në vitin 2019.
Më parë Pogba ka luajtur në elitën e futbollit francez me St. Etienne për 5 sezone, ndërsa në dy edicionet e fundit ishte pjesë e Sochaux në Ligue 2, skuadër me të cilën luajti 65 ndeshje në total.

SuperSport shkruan se mbrojtësi 31-vjeçar, i cili ndryshe nga vëllai Paul, luan për kombëtaren e Guineas, ka firmosur një kontratë 2-vjeçare në Indi me skuadrën nga Kolkata.