Vetëm nëse do jetonit në ndonjë shpellë, mund të mos e dinit se jemi në mesin e njërës prej pandemive më shkatërruese në histori. Sesa shkatërruese është, kjo u bë e qartë në fillim të këtij muaji kur Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi një raport që vlerësonte numrin e global të vdekjeve shtesë për shkak të pandemisë, 15 milionë, ose gati 3-fishi i numrit zyrtar të vdekjeve nga Covid-19.

Autoritete të tjera, mendojnë se vdekjet shtesë në nivel global mund të jenë afro 18 milionë. Këto janë shifra shumë të larta, por gjithsesi duken ende të vogla kur krahasohen me pandeminë e gripit spanjoll të viteve 1918-1919, e cila vrau rreth 40 milionë njerëz, ose ekuivalente me rreth 150 milionë në mbarë botën duke përdorur shifrat aktuale të popullsisë.

Por sado e fortë, kjo pandemi nuk është më e madhja që kemi parë. Bill Gejts thotë se një pandemi e tillë na pret në një të ardhme jo shumë të largët, prandaj ai na këshillon të nisim që tani përgatitjet. “Është joshëse të supozohet se patogjeni tjetër i madh do të jetë po aq i transmetueshëm dhe vdekjeprurës sa Covid-19, dhe po aq i ndjeshëm ndaj inovacioneve siçjanë vaksinat mRNA. Por sikur të mos jetë kështu?”- shkruan ai në librin e tij të ri.

Kjo është një pyetje e mirë. Në thelb Gejts thotë që ne duhet të bëjmë më shumë nga ajo që po bëjmë tashmë, por më mirë dhe më shpejt. Askush nuk mund të thotë nëse pandemia e ardhshme do të shkaktohet nga një koronavirus, grip, apo ndonjë patogjen që nuk e kemi marrë ende në konsideratë.

Por përmes sistemeve më të mira të mbikëqyrjes dhe diagnostikimeve laboratorike, ne duhet të jemi në gjendje të identifikojmë me shpejtësi fajtorin, dhe të hartojmë kundërmasa mjekësore përpara se një shpërthim epidemik të ketë shansin të dalë jashtë kontrollit.

Gejts është akuzuar se i ka përdorur vaksinat për të futur mikroçipa në trupat e njerëzve pa dijeninë e tyre, dhe ai është një shënjestër e njohur e lëvizjes kundër vaksinave. Mbi të gjitha, shkruan ai, ne duhet të “praktikohemi, praktikohemi dhe praktikohemi”, duke zhvilluar stërvitje të rregullta mbi situatat pandemike.

Në këtë kuadër, ai propozon krijimin e një ekipi prej 2000 personash që do të luajnë rolin e “zjarrfikësve pandemikë”. Gejts e etiketohen këtë grup si GERM (Reagimi dhe Mobilizimi Global ndaj Epidemisë). Akronimi në anglisht do të thotë edhe mikrob.

Por filantropi i njohur e pranon se masa të tilla nuk do të kenë vlerë nëse, pasi identifikojmë të metat në sistemet tona të reagimit ndaj pandemisë, nuk arrijmë që t’i korrigjojmë ato. Për shembull në vitin 2016, stërvitja epidemioogjike “Cygnus” në Britani, identifikoi boshllëqe në gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar në rastin e një pandemie të gripit, duke përfshirë rezerva të pamjaftueshme të ventilatorëve, por askush nuk veproi sipas rekomandimeve.

Po ashtu,autoritetet shëndetësore në SHBA, e dinin prej kohësh se diagnostikimi në masë do të ishte vendimtar në rastin e një pandemie. Por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dështuan të bëjnë teste në shkallën e kërkuar, duke penguar gjurmimin e kontakteve dhe masat efektive të izolimit.

Dhe për shkak të sistemit federal të qeverisjes së Amerikës, guvernatorët e shteteve shpeshherë nuk ishin të sigurt se kush ishte përgjegjës për çfarë. Rezultati:SHBA-ja pësoi një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë nga Covid-19 në botë.

Ndërkohë, vende si si Singapori, Vietnami dhe Kanadaja, të cilat ishin goditur keq nga SARS-i në vitin 2003 dhe i kishin përvetësuar leksionet, reaguan shpejt dhe me vendosmëri ndaj Sars-CoV-2, siç njihet koronavirusi që shkakton sëmundjen e Covid-19.

Por nëse parandalimi i pandemive do të ishte thjesht një çështje e logjistikës më të mirë dhe e besimit tek ekspertët, me siguri që do ta kishim zgjidhur problemin. Dhe fakti që nuk e kemi bërë, ka të bëjë me faktin se shkenca është plot me pasiguri, sidomos në fazat e hershme të një pandemie, kur mund të mungojnë të dhënat e besueshme mbi infektivitetin e një patogjeni dhe mënyrën e përhapjes së tij.

Për shembull në vitin 2014, pak ekspertë mendonin se Ebola, një virus që më herët kishte shkaktuar shpërthime epidemike në të gjithë Afrikën Qendrore, përbënte një kërcënim për vendet në Afrikën perëndimore si Sierra Leone dhe Liberia.

Po ashtu, bazuar në përvojën e SARS-it, e cila ishte e lehtë për t’u dalluar, sepse të infektuarit u sëmurën me shpejtësi dhe me shenja të dukshme, pak ekspertë menduan se Sars-CoV-2 do të ishte në gjendje të përhapej nga asimptomatikët.

Kur e kuptuan, ishte tepër vonë. Pra parandalimi i pandemive është po aq një problem epistemologjik sa edhe teknik. Ne mund të përgatitemi për kërcënimet e njohura pandemike, por të ashtuquajturat ngjarje kataklizmike janë të panjohura dhe të paparashikueshme.

Shënim: Mark Honigsbaum, është autor i librit “Shekulli pandemik:Nga Gripi Spanjoll tek Covid-19” /

“The Guardian” – Bota.al