Çështja e vetos bullgare për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE mund të jetë drejt zgjidhjes, duke i hapur kështu rrugën integrimit të këtij shteti dhe Shqipërisë.
Me tone pozitive dhe optimiste ka folur këtë të enjte në Ohër Presidenti i KE-së, Charles Michel pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“Unë kam ardhur në Maqedoninë e Veriut me një mesazh të qartë: BE-ja është e vendosur fort në rrugën tuaj të anëtarësimit në BE. Dhe nisja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur është një prioritet kryesor.
Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjet e hapura dypalëshe me Bullgarinë. Unë personalisht jam angazhuar së bashku me kolegë dhe miq të tjerë në mbarë BE-në për të ndihmuar në çuarjen përpara të procesit. Shpresoj, shpresoj sinqerisht dhe kam besim se shumë shpejt do të kemi zhvillime pozitive. Ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm për vendin tuaj dhe për të gjithë rajonin.
Javën e ardhshme do të organizoj një takim të 27 liderëve të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel.
Ballkani Perëndimor është një prioritet strategjik për BE-në dhe ky takim në Bruksel do të jetë një mundësi për të folur dhe koordinuar në një moment kritik të historisë sonë, për të treguar unitetin tonë të qëllimit dhe për të çuar më tej bashkëpunimin tonë.
Ne qëndrojmë pranë vendit tuaj dhe rajonit – duke ofruar mbështetje afatshkurtër dhe afatgjatë veçanërisht në trajtimin e pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës. Maqedonia e Veriut ka qenë një partner i vërtetë dhe i besueshëm.
Takimi ynë në Bruksel do të jetë gjithashtu një mundësi për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin tonë politik. Diskutova me Presidentin propozimet për një komunitet politik evropian. Më lejoni të jem i qartë – kjo nuk është alternativë ndaj zgjerimit, përkundrazi, jam i bindur se një proces i tillë i ri do të na lejojë të thellojmë dhe të përshpejtojmë integrimin politik. Kjo do të jetë gjithashtu një nxitje për marrëdhëniet midis secilit prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, është shprehur më 16 qershor presidenti i KE, Charles Michel.