Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare deklaroi se Shqipëria nuk ka mundësi që të blejë një avion 50 milionë euro, që shërben për shuarjen e flakëve.
Peleshi shton se Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka pse të ketë avionët e saj që përdoren vetëm për një muaj dhe kërkon kosto të madhe mirëmbajtje.
“Kur zjarri merr përmasa të mëdha duhet ndërhyrja me trupa. Pavarësisht se janë përqeshur në publik si të paveshur. Ushtarakët ngjiteshin në këmbë në majë të malit. Çfarë mund të merrnin me vete më shumë se një lopatë.
Sa i përket zjarrit të Sazanit ka pasur një reagim shumë të fortë. Ne nuk kemi helikopterë apo avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve. Unë mendoj që një vend i vogël si Shqipëria nuk i leverdis të blejë një avion për fikjen e zjarreve. Mendoj se jemi një vend i vogël dhe nuk kemi pse të kemi avionët tanë. Një avion kanadez kushton 50 milion euro për ta përdorur një muaj. Shtuar pastaj kostot e mirëmbajtjes”, deklaroi ai.