Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steinar ka folur për mediat nga Korça, ku mori pjesë në një leksion të hapur në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane.
Steiner ka zgjedhur t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve lidhur me disa nga çështjet kyçe të politikës së ditës, siç është bashkëpunimi i BE-së me ish-kryeministrin Sali Berisha, negociatat e anëtarsimit por edhe Ballkanin e Hapur.
Lidhur me opozitën shqiptare dhe shpalljen non-grata të Berishës, ambasadori tha se është politikë e brendshme dhe nuk e komenton.
“Unë si diplomat sa i përket politikës së brendshme duhet të shoh si do jetë vendimi i gjykatës. Për ne është e rëndësishme që kemi një opozitë të fortë sepse është e rëndësishme për negociatat e anëtarësimit”, tha ai.
Sa i përket çështjes së anëtarësimit në Bashkimin Europian, ai tha; “Shpresojmë të hapen negociatat shumë shpejt edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut”.
“Unë besoj se është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku me iniciativa shumë konkrete. Mund ta përsëris që shpresojmë që mund të vendoset për t’u hapur negociatat”, shtoi ambasadori austriak.
Në varësi të vendimit që do të japë gjykata e Apelit ju po shikoni edhe atë çfarë do të keni marrëdhënie me zotin Berisha?
Do të shohim si do të vendosë gjykata e apelit, presim vendimin e gjykatës.
Kemi një president që në Korrik është gati të kthehet në opozitë, një koment?
Roli i Presidentit është të qenit president, është funksion shumë i lartë që nuk lidhet me opozitën.
A keni një koment për Ballkanin e Hapur?
Ballkani i Hapur është një iniciativë rajonale dhe është shumë e rëndësishme që të gjitha objektivat e Europës të realizohen.
A e mbështesni?
Për ne e theksoj edhe njëherë është shumë e rëndësishme që standartet të mos shkojnë nën nivelin e kërkuar.