Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e konsideron agresionin rus në Ukrainë, si një synim të Presidentit Vladimir Putin për të vijuar pushtimet në mënyrë që të gjunjëzojë Europën.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, Spiropali tha se Ukraina nuk po lufton vetëm për veten e saj, por për të gjithë Europën si dhe për të gjitha vendet që duan t’i bashkohen familjes europiane.
Spiropali: Ata humbin me qindra njerëz në ditë, të thuash shqetësuese është shumë pak. Ata jetojnë nën një agresion dhe po humbin shumë njerëz vital në këtë luftë. është tragjike. Nuk e kanë humbur vendosmërinë. Patjetër se mund të perceptosh në shprehitë e tyre pasi janë me muaj të tërë nën këtë agresion të pakuptimtë dhe mizor. Nuk e kanë humbur vendosmërinë. Takuam Zelensky-n, kryeministrin e Ukrainës, kryetarin e Bashkisë së Kievit. Të gjithë këta njerëz që janë të spikatur, nuk e kanë lëshuar frontin për asnjë çast. Të njëjtën gjë, në sondazhet e tyre iu del për popullatën. Pavarësisht se janë në këtë sulm, janë të vendosur ta vazhdojnë dhe të fitojnë. Kanë nevojë për shpejtësi, shpejtësi për dorëzimin e armatimeve. Disa vende janë hezitante në krahasim me disa të tjera. Por kjo luftë nuk bëhet vetëm me armë. Rusia po e përdor ushqimin si armë. Po pengon ukrainasit që të eksportojnë në portet e tyre grurë, kjo është një çështje shumë e madhe. Ata mund të eksportojnë grurë me tren në Poloni, por bëhet fjalë për mijëra tonë grurë që po pengohet të eksportohen në mënyrë që Rusia të përdorë ushqimin si një armë për të kërcënuar vendet e tjera. Eshtë e qartë se synimi i Putinit, nuk është të gjunjëzojë vetëm Ukrainën, por të gjunjëzojë Europën. Ukrainasit nuk po luftojnë për jetën e tyre, por për vlerat europiane. Ukraina është kufiri lindor i Europës. Ata njerëz i kanë dhënë të gjitha provat që janë europianë dhe që po luftojnë për të drejtën tonë për të pasur vlera demokratike, për të qenë në familjen europiane. Nuk kemi vetëm një agresor ushtarak, por një shoqëri të mbyllur, totalitare që është tërësisht nën varësinë e mediave shtetërore. Njerëzit në Rusi, nuk marrin informacion në mënyrë të lirë për atë që po ndodh. Kemi të bëjmë me një shoqëri të dhunshme, janë të marrë peng edhe në Rusi. Në Ukrainë, situata është tragjike. Situata ka kaluar kufirin e gjenocidit dhe krimeve të luftës. Ukraina ka paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, raste për të njohur gjenocidin.