Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deputetes së PD, Jorida Tabaku duke i thënë se nuk po paguhet asnjë qindarkë për Bechettin në këto momente dhe po vijon ballafaqimi. Ndër të tjera sqaron se në vendin tonë, aktualisht janë 707 mijë persona të punësuar dhe i bën kërkesë që të nxjerrë faktet për konstatimin e saj se ka papunësi.
“Shifrat e faktet meritojnë konsensus, pastaj interpretimet janë çështje tjetër. E mora fjalën se dëgjova një shifër nga ato që ju prodhoni, 385 milionë euro fatura e Arbitrazhit. Ku është kjo faturë? Nëse do na e tregonit faktike, jo hamëndje dhe konkluzione të bazuara mbi hamendje, hajde ta diskutojmë por nuk i thoni dot parlamentit dhe publikut që ka faturë 385 milionë euro për arbitrazhe që po e paguan qeveria. Ju bashkarisht keni lajmëruar se po paguhet një marifetçi i madh si ai që e përdorët edhe për të çoroditur njerëzit para zgjedhjeve, unë po ju them që zero, asnjë qindarkë nuk i është paguar as Becchetit dhe askujt tjetër deri tani që flasim.
Ndërkohë ballafaqimi vazhdon që të jemi të qartë. Vazhdon në çdo hapësirë ku ka mundësi të zhvillohet një ballafaqim legal, kështu keqardhje për ju zonja Tabaku se ju edhe mbani shumë shënime dhe për një njeri që lexon shumë, të flasë për 385 milionë euro që nuk ekzistojnë është pak e sikletshme. Nuk diskutohet që kemi taksat më të ulëta në rajon, nuk ka në rajon taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe së shpejti, brenda pak vitesh do e zerojmë deri në 500 mijë lekë. Nga del këtu që paskemi taksën më të lartë? Kjo mbetet për tu vlerësuar mbi bazën e shifrave.
Unë di që kur kemi marrë detyrën, të regjistruar në total ishin 349 mijë vetë. Sot janë 707 mijë persona të punësuar të regjistruar nga të cilët 523 mijë janë sektor privat. Si dalin këto llogaritë që këtu paska rënë puna, këtu paska papunësi? Po flasim për shifra të nxjerra nga regjistrat. Po ashtu paga mesatare mujore në sektorin privat është rritur me 10.5% në 3 mujorin e parë të këtij viti. Inflacioni mesatar ishte rreth 4.43. Këto janë shifra meqë ju lexoni ose bëjeni një sakrificë dhe nxirrjani parlamentit burimet e shifrave që nxirrni dhe ne nuk e dimë ku janë. Këto janë faktet e institucioneve”, tha Rama.