Nga Jakin Marena

Publikimi i një videoje amatore dhe të regjistruar në kushte emergjence, stresi dhe acarimi nga familjarë të zemëruar, në të cilën shihej një nuse e re bashkë me të dashurin e ri në krevatin bashkëshortor, ka krijuar një përshtjellim në shoqërinë shqiptare.

Mediat nxituan ta publikojnë, ndonëse në mënyrë të kamufluar këtë video, nxitur dhe nga shkalla e lartë e klikimeve që portalet garantojnë në këtë rast. Mbetet mister kush e nxori për publikun.

Shqiptarët nga natyra janë shumë kurioze për jetën e tjetrit, dhe interesimi i tyre ishte dhe është i madh, duke shënuar një shikueshmëri të lartë dhe të garantuar në mediat sociale të kësaj videoje me “tradhëti” brenda.

Për të treguar shkallën e lartë të emancipimit, ndoshta në shumicën e rasteve dhe përtej “takatit” të tyre, pjesa më e madhe e atyre që u deklaruan publikisht për këtë ngjarje që kishte ndodhur në një fshat të Librazhdit, u përqëndruan më shumë tek dhuna e ushtruar ndaj nuses së re, në momentin kur vjehrri, vjehrra dhe kunati i vogël e kapën në flagrancë me zë dhe figurë me një mashkull tjetër, pikërisht në krevatin ku kishte konsumuar për herë të parë martesën me burrin e saj, që ishte në emigrim, për të fituar ndonjë lek dhe mbajtur familjen.

Eshtë i drejtë shqetësimi i një pjese të opinionit publik, qoftë dhe atij që shtiret dhe që nuk e uron kurrë që t’i ndodhë një gjë e tillë edhe atij vetë në krevatin bashkëshortor apo fëmijëve të tij që janë të martuar.

Pasi jemi në Shqipëri dhe sikurse e kemi kapur demokracinë me “trehapësh”, edhe emancipimin po me ‘trehapësh” e kemi kapur. Si të gjitha gjërat që kemi bërë ne shqiptarët tash dy mijë vite e këtej, dhe tani i bëjmë përgjysmë.

Ndaj mendimin sado jam traditcional në themel, që kur një marrëdhënie qoftë dashurore e deri martesore nuk funksion, duhet të marrë fund. Nuk duhet mbajtur me zor, pasi respekti ndaj ndjenjave të tjetrit, qoftë dhe ndaj atij ose asaj me të cilin ke ndarë gëzimet e hidhërimet për vite me radhë, madje dhe krevatin bashkëshortor, duhet të jenë maksimale.

Fundi është fund dhe i duhet dhënë fund, nuk duhet të ketë asnjë shenjë hakmarrjeje apo dhune ndaj partnerit ose partneres. Këtë bën bota e emancipuar apo modernizuar apo dhe me demokraci mesatare, këtë duhet të bëjmë dhe ne si njerëz që e mendojmë veten të kultivuar. Deklarohet fundi dhe kaq.

Nuk më shqitet nga mendja deklarata e një politikani vite më parë, i cili u dashurua dhe u martua me një grua tjetër, teksa iu përgjigj kritikëve, dhe brenda partisë së tij, se marrëdhënia me gruan e parë kishte marrë fund dhe ai nuk bënte gjasme, duke fjetur në darkë me gruan, dhe konsumuar ditën apo pushimet me të dashurën e re. Pra jo jetë të dyfishtë, siç akuzonte disa nga kolegët e tij të politikës se bënin gjatë gjithë kohës. Duke mbajtur në këmbë martesa të rreme.

Këtu ndaj qëndrimin se nusja e re nga Librazhdi, e cila kishte rezerva për martesën e saj, por dhe kishte rënë në dashuri me një burrë tjetër, duhej t’i kishte dhënë fund martesës. Sido që të shkaktonte tërmet në marrëdhëniet mes familjeve, pasi fshat është aty dhe fjalët nuk sosin.

Konsumimi i dashurisë së re në krevatin e vjetër bashkëshortor, besojmë të gjithë se shkaktoi më shumë “tërmet” se sa një proces normal divorci dhe dhënie fund të një dashurie apo martese që kishte marrë fund me kohë e e me vakt.

Nuk jam as me deklaratat e ndonjë figure publike, i cili s’ka pasur grua kurrë, që deklaron pak a shumë se nuk e ka problem faktin që gruaja e tij të kishte 4-5 dashnorë. Dhe tek yjet e Hollivudit, dashuritë e lira numërohen me gishtat e dorës dhe kanë shërbyer si “ushqim” për mediat për vite me radhë. Me pjesë të shoqërisë pro ose kundër në të gjitha rastet.

Duke u rikthyer tek rasti i Librazhdit, pavarësisht “tradhëtisë” bashkëshortore të nuses së re, kurrë kjo nuk e justifikon dhunën e ushtruar ndaj saj nga ana familjes së burrit të saj apo dhe nga familja që i kishte bërë kokën.

Për më tepër nuk e përligj as dhunën në media, qoftë dhe duke e mbrojtur përmes ekspozimit të të gjitha detajeve të ngjarjes së zhvilluar atë natë, me protagonistë familjen e burrit të tradhëtuar, nuses së re dhe të dashurit të saj të ri që rrinte si hu gardhi, pa i dalë zot dashurisë së tij. E kishte në dorë ta mbyllte këtë punë, duke e marrë të dashurën për dore që të jetë i lirë për ta dashur dhe për t’u dashur publikisht dhe pa droje.

Por ajo që na bën habi është qëndrimi me dy standarde këtej nga Tirana metropolitane ndaj rasteve të tilla. Më ka bërë habi që herët, por dua të evidentoj dy raste. Qëndrimi që është mbajtur kohë më parë kur një vajzë nga Fushë-Kruja, e shkolluar, brisk nga goja dhe shumë e emancipuar, pasi i dha “duart” të fejuarit të saj, madje dhe e denoncoi në polici, më pas u tërhoq dhe deklaroi se e donte sërish, por që duhej të ndryshonte. Si dhe qëndrimi ndaj “tradhëtisë” së nuses së re nga Librazhdi. Këto dy raste që solla në vëmendje, duhen parë në raport me atë çka mediat përcjellin çdo ditë për këto “VIP”-at shqiptarë në kryeqytet.

Në rastin e parë, teksa nuk arritën ta bëjnë viktimë dhe “ushqim” për mediat madje dhe për shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të femrës, ishte vajzë rebele ajo, pikërisht këto media e bullizuan, e sulmuan dhe nuk lanë gjë pa thënë në drejtim të saj. Vetëm sepse nuk ishte shfaqur si viktimë që kërkonte mbrojtje nga mediat apo në ndonjë qendër sociale. E akuzuan madje dhe se ishte me të meta mendore që duhej të vihej nën kontrollin e rreptë të mjekëve specialistë.

Për më tepër ndonjë përfaqësuese e medias, që vinte nga zonat më të thella të vendit, shkruante se kjo vajza nga Fushë-Kruja, “një zonë shumë e thellë e veriut”, vetë ishte lindur e rritur shtatë-fish më larg nga Tirana se sa Fushë-Kruja, kishte sindromin e “Stokholmit”, s’donte mbrojtjen e mediave dhe shoqërisë civile, pasi kishte rënë në dashuri me dhunuesin. Me një fjalë filluan ta sulmonin fort, pasi tentuan pa sukses ta kishin “ushqim” të përditshëm, të përulshëm, të menaxhueshëm e të thoshte ato që “shisnin” më shumë.

Dhe në rastin e nuses nga Librazhdi, palët janë ndarë në pro e kundër si me thikë, por që ndryshon tërësisht gjithë diskutimi në raport me ata që quhen “VIP” në Tiranë.

Nëse ndjek lajmet nëpër mediat sociale të ndryshme apo dhe në gazetat e televizionet më të mëdha të vendit, hasen me shumicë lajme të tilla: Filan moderatore, këngëtare, modele, ish pjesëmarrëse nëpër emisionet televizive, ishte ndarë nga i dashuri apo burri dhe kishte krijuar një lidhje të re. Këto emra publikë cilësohen super-VIP. Megjithëse duhet të futesh thellë për të lexuar dhe për të marrë vesh se çfarë ka bërë ky lloj VIP-i, veçse kishte dalë zhveshur dhe ishte ndarë apo lidhur disa herë me partnerë të ndryshëm. Apo dhe rikthyer tek i pari në rastin më të mirë. Punë e saj!

Nuk dua të përmend emra, por shqiptarët e interesuar për këto lloj lajmesh i kanë çdo ditë në të gjitha mediat një kontigjent të tillë VIP-ash. Fundja, “kilja e VIP-it ka rënë shumë në Shqipëri”, ka thënë kohë më parë një miku ynë në media.

Nuk lexon në asnjë rresht nëse është shkaktuar traumë në këto lloj ndarjesh dhe krijimi lidhjesh të reja, as nuk flitet nëse është cënuar nderi, morali apo ka “tradhëti”. Thjeshtë dhe vetëm thuhet rëndom: Moderatorja VIP u nda me “x”-in e u bashkua me “y”-in, ndërsa në mbititull shkruhet: Nga jeta plot pasion dhe e përmbushur e filan personi VIP. Familjarët e tyre trajtohen shkëlqyer dhe nuk zhduken nga sytë këmbët jashtë vendit, apo të mbyllen brenda pa nxjerrë kokën jashtë.

Ndërsa nëse bëhet fjalë për një vajzë të thjeshtë, qoftë dhe të emancipuar nga jashtë Tirane, që mbyll një dashuri që ka marrë fund dhe hap një kapitull jete me një dashuri tjetër, linçohen nga familjet, opinioni e deri nga mediat. Sulmohen si të pa nder dhe pa moral, si “tradhëtare”. Duke detyruar madje dhe dashurinë e re të tërhiqet nga forca e opinionit dhe për jetë të jetëve nuk zë më burrë apo grua sipas rastit, duke mbetur tërë jetën vetëm. Ndërkohë që familjarët e tyre mbyllen brenda, tallen dhe shihen me ironi, aq sa ikin nga sytë këmbët. Ky është maskarallëk dhe bullizëm i pastër, që mund të shkaktojë depresion e deri dhe akte të tjera kundër vetes.

Ndaj mediat e kryeqytetit, për fat me shumicë të dominuar që nga gazetarët e deri te moderatorët më të zëshëm, që pavarësisht se “përshtyjnë në shami” nga shkalla e lartë e “emancipimit dhe e kulturës”, por që kanë lindur në fshat apo kanë prejardhje nga fshati, ta “mbajnë” dorën një çikë.

Të paktën të përdorin të njejtin standard, si për Tiranën ashtu dhe për rrethet. Pasi si të ndërrosh partner në Tiranë kur je emër publik, si në rrethe kur nuk je publik, ose duhet të quhen të gjithë VIP-a e me moral të lartë që s’kanë bërë “tradhëti” por kanë ndjekur dashurinë e re e të pastër, ose të kategorizohen siç i “ka hije” shqiptarit: Të gjithë të “zinj”. Por ama jo me dy standarde, pasi njihemi të gjithë në Shqipëri, shqiptarët i kategorizojnë vetë. Thjeshtë media humbet besimin tek publiku, i cili nuk e ka për gjë t’i drejtohet motorit të kërkimit “google” dhe gjen gjithçka. Qoftë dhe me “Translate”!